Romani “Komploti” nga Ben Blushi është libri më i shitur në Panairin e Librit në Tiranë. Panairi i Librit në Tiranë këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 26 në Pallatin e Kongreseve, ku “Komploti” është libri më i shitur me 2500 kopje. Kjo bëhet me dije nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që shprehet se iu është drejtuar të gjithë botuesve që të jepnin shifrat për shitjen e librave këtë vit në panair. Shoqata e Botuesve Shqiptarë shprehet se romani “Komploti” me 2500 kopje është libri më i shitur në panair, por libri pas tij vinte me një diferencë të madhe. “Pas përfundimit të Panairit të 26 të Librit të Tiranës, iu drejtuam të gjithë botuesve të na jepnin shifra për shitjet e librave në stendat e tyre. Vetëm një pjesë e vogël na kanë dhënë përgjigje. Një pjesë na kanë dhënë vetëm radhitje titujsh apo autorësh të shitur, por fare pak të shoqëruara me shifra. Nga të dhënat rezulton që libri më i shitur është romani i shkrimtarit Ben Blushi “Komploti”, botuar nga shtëpia botuese “Pegi”, me 2500 kopje. Libri tjetër që vjen pas tij është me një diferencë shumë të madhe”, thuhet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në një postim në rrjetin social Facebook. Panairi i Librit nisi më 14 nëntor dhe vijoi deri më datë 19 këtë muaj. Ngjarjet e romanit më të ri të shkrimtarit Ben Blushi zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës. Një plan që shqiptarëve çuditërisht nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën. Tre hebrenjtë do të luajnë deri në fund gjithë fijet e një konspiracioni, fundi i të cilit do të jetë befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.
“Komploti” botimi i dhjetë
Romani “Komploti” është botimi i dhjetë i shkrimtarit. Ben Blushi vjen para lexuesit me romanin e tij më të ri, i cili që pak ditë pas botimit ngjalli debate dhe interes nga publiku, për shkak të temës që trajton, mënyrës që e trajton dhe personazheve që ka. Romanin e tij të ri autori po e promovon dhe në qytete të ndryshme në vend, por ka qenë dhe në Prishtinë në Kosovë. Ben Blushi e ka filluar krijimtarinë letrare me vëllimin “100 ushtarë”, mandej me romanet “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria”, “Kandidati” dhe “Kryeministri”; esetë politike “Hëna e Shqipërisë” dhe “Letër një Socialisti”; librin me portrete “41 sekrete”. Ben Blushi është nderuar me çmime të ndryshme letrare, si çmimi “Kult” (2015) si eseist i vitit për “Hëna e Shqipërisë”, Çmimi Europian për Letërsinë (2014) për romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, çmimi “Lumo Skëndo” (2022) për “41 sekrete”.