Artistët lirikë janë pjesë e koncertit “8 Marsi jam unë”. Një koncert që vjen nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi dhe do të interpretojnë këngëtarë të njohur lirikë të skenës sonë. Koncerti të mërkurën më 6 Mars do të zhvillohet në kuadër të 8- Marsit dhe përmban një program të zgjedhur këngësh. Koncerti do të zhvillohet në sallën “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe do të interpretohen këngë shqiptare dhe të huaja, në vokalin e sopranos Renisa Laçka dhe tenorit Kastriot Tusha “Mjeshtër i Madh”. Solistët do të shoqërohen nga “SinfoArt Orkestra” në drejtimin e mjeshtrit, dirigjentit Oleg Arapi. Në koncert do interpretojë dhe pianisti i talentuar 7 -vjeçar, Heiden Musaraj. Dirigjenti Oleg Arapi thotë se në këtë koncert është një program i pasur muzikor. “Në kuadër të 8-Marsit, “SinfoArt” organizon koncertin “8 Marsi jam unë”. Në program janë këngë shqiptare dhe të huaja. Ndër këngët shqiptare që do të interpretohen: “Duan më shumë Shqipërinë”, “Valsi i lumturisë”, “Kur perëndon Dielli”, “Si Dukat i vogël je”, “Pranverë në Prishtinë”, “Margjelo””, tregon dirigjenti Oleg Arapi, për këtë koncert që realizohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe donatorëve të tjerë. Koncerti që sjell në skenë zëra të njohur të muzikës lirike ka pjesë të tij dhe Heiden Musaraj 7 -vjeç në klasën e dytë. Por dirigjenti Oleg Arapi tregon se pianisti Musaraj 5 vjeç e gjysëm ka marrë pjesë te koncerti i “Tre Tenorëve” në Elbasan. “Pjesëmarrës në disa konkurse në të cilat ka marrë certifikata të vendeve të para dhe medalje. Ka qenë i ftuar në emisione televizive, spikat për veshin muzikor, memorie të fortë dhe virtuozitetin në tastierë”, tregon dirigjenti Oleg Arapi.
Koncerti i dytë këtë vit për dirigjentin
Mjeshtri Oleg Arapi në aktivitetin e tij ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj. Por dirigjenti tregon se koncerti mbrëmjen e 6 marsit është i dyti për këtë vit. Oleg Arapi ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli , Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze, në Kapelën Perandorake në Shën-Petërsburg, etj. Ka drejtuar koncerte me orkestra filarmonike në Poloni, Moskë, Ukrainë, Ekuador, Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh, Civitaniova në Itali. Repertori i dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në 29 prill 2014 vuri në skenë premierën botërore të operës “La cartomante” të kompozitorit italian Salvatore Valente. Studiuesja Iwona A. Siedlaczek, në gazetën polake “Lublin Kulturë ” ka thënë se dirigjenti Oleg Arapi mund të quhet ambasador i kulturës muzikore i vendit të tij. Në prill 2013, dekorohet nga Akademia Internacionale “Imperiali” e Italisë, me medaljen “Ylli i artë”.