Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të bëhen bashkë në skenë për 70-vjetorin e krijimit të këtij institucioni. Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu në skenën shqiptare opera “Rusalka”, datë që hyri në historinë e TKOB si dita e themelimit të këtij teatri. Për të kremtuar 70-vjetorin e krijimit të teatrit, në TKOB do të zhvillohet një koncert vokalo-simfonik, ku vjen dhe Simfonia nr.9 e Beethoven-it. Koncerti zhvillohet me Orkestrën Simfonike, solistët dhe kori i TKOB-së. Dirigjent në koncert Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Solistë në këtë koncert janë soprano Renisa Laçka, mezzosoprano Vikena Kamenica, tenor Denis Skura dhe baritoni Armando Likaj. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se në nëntorin e krenarisë sonë kombëtare, kemi edhe një arsye më shumë për të festuar. “TKOB mbush plot 70 vite! Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu për herë të parë, në skenën shqiptare, opera “Rusalka”, e kompozitorit rus A. Dargomyzhsky. Ky moment shërbeu si një gur themeli nga i cili mori rrugë krijimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe shumë shpejt në skenë u vunë edhe opera shqiptare. Për të kremtuar 70-vjetorin e krijimit të TKOB, do të sjellim për të gjithë artdashësit një nga kryeveprat e muzikës botërore: Simfonia nr. 9 e Beethoven-it. Ju presim më 27 nëntor, ora 19:30 për të festuar të gjithë së bashku ditëlindjen tonë të 70-të!”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për këtë koncert. Koncertmaestër janë Herta Cane, Thanas Paskali. Me subjekt sipas dramës së A.S.Pushkin dhe me muzikë të AS. Dargomizhskij, u krijua “Rusalka” një vepër që përfaqësonte në atë kohë, artin realist rus. Në një material filmik mbi premierën e vitit 1953, pjesë e arkivit të AQSHF shfaqen mjeshtrat e vokalit operistik shqiptar, si Jorgjia Truja, Hysen Pelinku, Zihni Berati, Gjyzepina Kosturi, Marie Kraja, Haxhi Tafaj, Takuina Truja, Zeqir Agolli nën dirigjimin e mjeshtrit Mustafa Krantja dhe baletmaestër Panajot Kanaçi.
Historia e TKOB
Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia Shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik. Në faqen e institucionit thuhet se Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën, ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operas dhe baletit. Në 27.11.1953 u realizua opera e parë e skenës tonë, “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, datë që hyri në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si dita e themelimit të këtij teatri edhe pse në atë kohë ishte ende pjesë e Filarmonisë së Shtetit. Këshilli i Ministrave, në vitin 1956 me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për një drejtim më të mirë të institucioneve qëndrore artistike, vendosi krijimin më vete të Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, me një kontigjent prej 246 vetash. Në vitin 1957, një vit më pas, u krijua dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili u bë pjesë e TKOB. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin.