Veprimtaria shkencore, legjislacioni për trashëgiminë apo dhe përzgjedhja e projekteve ishin pjesë e një sërë çështjesh, që u diskutuan në takimet e kryesisë së Akademisë së Shkencave me drejtuesit e Institutit të Arkeologjisë dhe Historisë. Akad. Adem Bunguri drejtues i IA informoi se gjatë tre muajve të parë të vitit planet e punës janë rishikuar, me qëllim që të ketë një ndarje proporcionale të projekteve dhe ngarkesa të jetë e realizueshme. Sipas tij, është vendosur që çdo kërkues-arkeolog të ketë jo më shumë se dy projekte, ndryshe do të mashtronim veten. “Është e pamundur të ndiqen më shumë se dy projekte njëkohësisht. Në përzgjedhje kemi ndjekur kriterin e përputhshmërisë me prioritetet e kërkimit në institucion. Kjo ka dhe ndikimin e vet në përdorimin e burimeve financiare”, tha ai. Në këtë takim, problemi i përzgjedhjes kritike të projekteve u theksua edhe nga prof. dr. Neritan Ceka, kryetar i komisionit të përhershëm të arkeologjisë. Kryetari i ASH akademik Skënder Gjinushi tha se është e dukshme se duhet munduar për një ripërcaktim më të qartë të strategjisë së kërkimeve arkeologjike, duke vepruar menjëherë për zgjidhjet me karakter imediat. “Kjo duhet të bëhet duke ruajtur si prioritet sitet/projektet e mëdha, duke grupuar projekte të afërta dhe duke mënjanuar shpërndarjen në pika të parëndësishme, që mund të jenë me dobi vetjake për drejtuesin, por jo për institucionin”, tha ai. Në materialin e ASH, shprehet gjithashtu se shqetësim institucional për legjislacionin për trashëgiminë është ndërhyrja në disa kompetenca që i takojnë ekskluzivisht Institutit të Arkeologjisë, si autoritet i vetëm për të realizuar gërmime arkeologjike për qëllime shkencore dhe për gërmimet e shpëtimit në rastin e ndërtimit të veprave të mëdha që prekin nëntokën (vepra hidrike, gazsjellës etj.). U vendos që për të propozuar amendimet në ligj të ngrihet një grup pune, i cili, ndër të tjera, të specifikojë terminologjikisht nocionin “gërmim arkeologjik” dhe ekskluzivitetin e IA për këtë, duke bërë dallimin me “hulumtimin arkeologjik”; si dhe duke mbyllur shtigjet e keqpërdorimit të trashëgimisë arkeologjike; çështje të shtruara nga akademikët Vasil S. Tole e Gëzim Hoxha.
Marrëveshjet me arkivat
Në takimin e dytë prof. dr. Hamit Kaba drejtor i Instituti të Historisë shprehu se planet vjetore të punës individuale janë miratuar, duke bërë përputhjet e nevojshme me përparësitë. Ai kërkoi realizimin e marrëveshjeve me arkivat për të mundësuar dhënien pa pagesë të kopjeve të dokumenteve për punonjësit e autorizuar nga IH. Për këtë ai u informua se është arritur dakordësia me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për shtimin e një neni në marrëveshjen ekzistuese për dhënien pa pagesë të kopjeve për qëllime studimi. Për kërkesën që një marrëveshje e tillë të negociohet edhe me Arkivin e MEPJ u premtua se do të ndiqet, ndërsa për pagesën e faturave të dokumenteve të porositura në arkiva jashtë vendit kjo të bëhet pasi kërkuesi të ketë depozituar në arkivin e institucionit një kopje të tyre, duke i ruajtur të drejtën e shfrytëzimit deri në përfundim të punës kërkimore. Hë për hë instituti mund të marrë përsipër pagesa të kufizuara për kopje dokumentesh në arkivin e MEPJ. Në këtë takim u vërejt se në planet vjetore të historianëve sundojnë probleme të historisë së shek. XX, megjithëse IH sapo ka botuar pesë vëllime të historisë së Shqipërisë për periudhën nga Shpallja e Pavarësisë deri sot. Problem tjetër është ekuilibrimi i raporteve midis periudhave historike, sidomos lidhur me shekullin e Rilindjes dhe Mesjetën. Më tej në këtë takim u shtrua edhe çështja e ristrukturimit të revistave shkencore, për shkak të përshtatjes me kërkesat ndërkombëtare të indeksimit.