Çlirimi i Tiranës, një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar
Ekspozita “Tirana në llogore” u çel në kuadër të 17 nëntorit, Ditës së Çlirimit të Tiranës. Në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, qenë të pranishëm nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, drejtuesi i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dr. Endrit Musaj, përfaqësues të pushtetit vendor lokal, studiues, mësues, qytetarë dhe nxënës të shkollave publike të kryeqytetit. Publiku pati mundësinë të shihte nga afër dokumente dhe fotografi të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), mbi Tiranën nën thundrën e pushtuesve nazi-fashistë, mbi qëndresën për liri, mbi rolin e britanikëve në Shqipëri dhe mbi pasojat e pushtimit.
Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bëjnë pjesë: foto të Durrësit në nisje të pushtimit fashist, më 7 prill 1939; informacion mbi ditët e para të pushtimit, si edhe mbi dërgimin e kurorës shqiptare drejt mbretit Viktor Emanuel III; foto nga ceremonia e dorëzimit të flamurit shqiptar pranë trupave italiane; letër që dëshmon dëmtimin e Muzeut Arkeologjik nga pala italiane gjatë pushtimit (Leon Rey drejtuar Presidentit të Akademisë së Arteve të Bukura në Paris); kujtimet e Mehdi Frashërit për periudhën para dhe pas pushtimit italian; informacion nga Legata Italiane mbi kërkesën e palëve britanike dhe franceze që Shqipëria të bëhej pjesë e një pakti ballkanik; informacion për vizitën e konsullit Gjerman pranë misionit ushtarak Gjerman në Tiranë (1940); formimi i qeverisë Mitrovica (bisedime parlamentare 4.11.43), etj. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të organizimeve të parashikuara për kremtimin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës. Ekspozita e përgatitur nga DPA-ja do të qëndrojë e hapur për të interesuarit deri në javën e ardhshme në Muzeun Historik Kombëtar.