Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se është një lajm i shkëlqyer, që vjen nga Parisi për vendin tonë. Margariti shprehet ndër të tjera se kjo është struktura më e lartë ekzekutive e organizatës. “Shqipëria, anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s! Një lajm i shkëlqyer që vjen nga Parisi, ku me 134 vota Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës. Faleminderit çdo shteti anëtar që besoi në punën tonë! Përgëzime për kolegun Igli Hasani dhe gjithë stafin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ambasadoren tonë në UNESCO Besiana Kadare dhe të gjithëve që punojnë me rigorozitet në përmbushje të konventave ndërkombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore!”, shkruan ministrja Elva Margariti në rrjete sociale për zgjedhjen e Shqipërisë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Shqipërisë në këtë organizatë u anëtarësua më 16 tetor 1958. Kodiku i Purpurt i Beratit, që daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamenë të purpurt, Kodiku i Artë (Codex Aureus) i cili i përket shekullit IX dhe është i shkruajtur në pergamenë me shkronja ari, si dhe Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit, Rrajca, Berati, Butrinti dhe Gjirokastra janë pasuritë shqiptare që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara ( United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization) ose UNESCO është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945. Qëllimi i deklaruar i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në botë, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës, dhe kulturës.