Mbrëmja kinematografike që u zhvillua në Francë me rastin e festave të nëntorit solli për të pranishmit dhe filmin “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti. Me rastin e festave kombëtare, Ambasada e Shqipërisë në Francë, ambasadori Dritan Tola dhe ambasadorja e Deleguar e Përhershme e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, organizuan këtë mbrëmje kinematografike dhe një pritje për të gjithë miqtë e Shqipërisë në Francë. Në faqen e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit thuhet se mbrëmja u hap me shfaqjen e filmit të restauruar “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit të madh shqiptar Dhimitër Anagnosti, i ndjekur nga shfaqja e filmit me metrazh të shkurtër “A short trip” nga regjisori i ri shqiptar Erenik Beqiri. “Prezantimi i kinematografisë klasike shqiptare dhe asaj moderne ishte një ftesë e këndshme për të ftuarit të njohin, vlerësojnë dhe mbështesin artin shqiptar në të gjitha dimensionet e tij. Këto vlerësime u shprehën edhe nga fjalët përshëndetëse që mbajtën ambasadori i Shqipërisë në Francë z. Dritan Tola, këshilltarja për kulturën pranë kryeministrit Rama, znj. Simonetta Dellomonaco dhe regjisori Erenik Beqiri”, thuhet nga AQSHF. Shfaqja e filmit u realizua me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Filmi “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 në vendin tonë u përzgjodh më parë që të ishte pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion, Francë në tetor këtë vit. “Përrallë nga e kaluara” është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndër” dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit. Muzika e filmit është nga Limos Dizdari. Aktorë në role Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Teli Stefani, Mimika Luca, Medi Malkaj, etj.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë