“Mbreti Lir” po vijon këtë muaj të fundit të vitit në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. Një nga tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspirit vjen në skenë me regji nga Jonida Beqo. Teatri Metropol shprehet se shfaqjet e Shakespeare, dhe veçanërisht “Mbreti Lir”, janë thelbësore për të kuptuar trashëgiminë kulturore dhe artistike, që na ka lënë ky dramaturg i shquar. ““Mbreti Lir” është një vepër e fuqishme, që trajton tema universale siç janë çmenduria, tradhtia dhe ndëshkimi, duke na ofruar një pasqyrë të thellë të natyrës njerëzore. Përmes kësaj pjesë, Shakespeare na sfidon të mendojmë për marrëdhëniet familjare, pushtetin dhe pasojat e vendimeve tona. Të shohësh këtë vepër në skenë është një përvojë transformuese që jo vetëm na ndihmon të kuptojmë më thellë veprën, por edhe të reflektojmë mbi jetën dhe sfidat e saj”, thuhet nga teatri. Prandaj sipas materialit të teatrit, shfaqja “Mbreti Lir” është e rëndësishme jo vetëm si një dritare në botën e Shakespeare, por edhe si një udhëzues i vlefshëm për të kuptuar veten dhe botën rreth nesh. Vepra do të jetë në skenë në datat 7, 8, 9, 10, 14, 15, 16, 17 dhjetor. “Mbreti Lir” vjen në skenë me pjesëmarrjen e aktorit të njohur Viktor Zhusti, ku interpretojnë në role dhe Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Klea Konomi, Klesta Shero, Kriks Dumo, Luisa Dinellari, Lulzim Zeqja, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Sokol Angjeli, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari, Xhoni Spahi.