Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor rikthen vëmendjen te problemet dhe rëndësinë e botimeve shkencore. Panairi në edicionin e tretë u hap një ditë më parë në Akademinë e Shkencave, për të vijuar dhe me prezantime librash dhe aktivitete të tjera. Nisur edhe nga dy edicionet e mëparshme, ky panair shërben për ta nxjerrë më në pah botën akademike shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmendjen e duhur publike. Në fjalën e tij akademik Mehmet Kraja kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tha se libri shkencor nuk është libër i reklamës. “E kemi thënë dhe tashmë e dinë të gjithë se libri shkencor kërkon një përkujdesje të veçantë shtetërore dhe institucionale dhe ne po përpiqemi ta bëjmë këtë. Libri shkencor rri fshehur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm dhe kërkon me ngulm lexuesin e kualifikuar, atë që ia di vlerën dhe që i peshon me kompetencë arritjet e tij në botën e dijes. Libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe i tirazheve të mëdha. Bestsellerët shkencor janë të rrallë dhe, zakonisht, për t’u bërë të tillë u duhet të heqin dorë, nëse jo në tërësi, së paku nga një pjesë e mirë e natyrës së tyre: nga heshtja e mençur që i rrethon”, u shpreh akademiku Mehmet Kraja. Botimet shkencore janë më të pakta në krahasim me botimet letrare artistike dhe ato publicistike. Por në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor akademiku Mehmet Kraja tha se këto botime kanë idetë e reja dhe mendimet e thella. “Librat shkencorë janë më të paktë në numër, krahasuar me librat letrarë dhe publicistikë, nuk shtypën me letër luksoze, nuk iu bëhen kopertina me zgjidhje të veçantë grafike dhe në përgjithësi lënë përshtypjen e indiferencës. Por magjia e tyre qëndron sa në idetë e reja, në dijet e gjithanshme dhe mendimet e thella, po aq në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve. Deduksionet hipotetike dhe as emocionet nuk janë ana e fortë e shkrimit shkencor”, tha akademiku.
Botimet shtylla kryesore e programit të punës
Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që nga themelimi i saj, këtu e 50 vjet të shkuara, botimet janë konsideruar parësore në punën e saj dhe sipas akademikut Mehmet Kraja përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore të programit vjetor të punës. “Ne konsiderojmë se kemi arritur një nivel të mirë të këtyre botimeve, porse kemi akoma punë për të bërë, për ta hapur veprimtarinë botuese ndaj autorëve jashtë akademisë, jo sipas rastit, por sipas një koordinimi dhe të një vlerësimi publik. Tani, panairi që kësaj radhe u hap në Tiranë, vjet në Prishtinë dhe vitin e ardhshëm po ashtu në Prishtinë, bëhet i rëndësishëm nëse arrin të tërheq vëmendjen e opinionit, nëse jo të opinionit të gjerë, së paku të botës akademike, duke nxjerrë në pah vlera të qëndrueshme shkencore dhe duke promovuar autorë dhe arritje gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse”, tha kryetari i ASHAK. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Për këtë panair një ditë më parë u shprehën dhe akademikë dhe studiues të tjerë. Ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH tha se Panairi i tretë Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor hapet në një ditë të shenjuar, në Ditën Botërore të Librit, shpallur nga UNESCO në vitit 1995. Në stendat që do të qëndrojnë të hapura deri në 25 prill, janë jo vetëm botimet e dy akademive, por përfshihen mbi 35 institucione nga e gjithë shqiptaria. Do të jenë të pranishëm akademikë, autorë, studiues, botues dhe përfaqësues të institucioneve, ndërsa krahas botimeve të viteve të kaluara, promovohen edhe 74 tituj të rinj.