Ambientet e godinave të ish- burgut të Spaçit do të rehabilitohen për të ndaluar degradimin e tyre dhe për ta kthyer atë në një vend kujtese. Për ish burgun e Spaçit në Mirditë është folur dhe më parë për ndërhyrjet që janë propozuar. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se ministria që ai drejton do të nisë rehabilitimin, ku veç saj është menduar dhe realizimi i një muzeu pranë godinave. “MEKI do të nisë shumë shpejt me rehabilitimin e ambienteve të godinave të ish-burgut të Spaçit, duke mos lejuar degradimin e godinave, e duke e kthyer atë në një vend kujtese. Gjithashtu, është menduar dhe realizimi i një muzeu pranë godinave të ish-burgut, ku do të ekspozohen artefaktet e trashëguara për të përkujtuar, për të mos harruar!”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale për ish burgun e Spaçit në Mirditë. Ministri i MEKI-t u shpreh për ish burgun e Spaçit në vijim të ekspozitës që u hap këto ditë atje e titulluar “E Kaluara e Tashme”. Gonxhja ka ndarë në faqen e tij në rrjete sociale dhe foto të kësaj ekspozite, ku shprehet se ajo u ngrit për të qëndruar gjithmonë në Spaç. “Në ekspozitën “E Kaluara e Tashme” e cila u ngrit për të qëndruar përgjithmonë në Spaç të Mirditës. 49 portretet e ish të burgosurve politik që janë ende në jetë, bashkë me rrëfimet e tyre prekëse por edhe të guximshme, janë tashmë të hapura për publikun e kushdo mund të shohë trupëzimin e 49 portreteve në një skulpturë të vetme e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror”, shprehet ministri Blendi Gonxhja. Por për këtë ekspozitë ministri Blendi Gonxhja sjell në vëmendje edhe punën e bërë nga të rinjtë. “Përgëzojmë për këtë nismë dy djemtë e rinj e të talentuar, Kristian Zara (krijuesi i skulpturave dhe kurator) dhe kuratorin Arnen Sula të cilët përmes artit risollën rrëfimet rrënqethëse të ish të burgosurve të Spaçit”, shprehet ministri Gonxja. Projekti u konceptua dhe realizua nga “Tek Bunkeri”, financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e programit “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një draft plan për Spaçin
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit disa ditë më parë hodhi për konsultim publik, draft-planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit. Në një raport prej 182 faqesh, Ministria e Kulturës, shpjegon rëndësinë e investimit dhe rijetëzimit të hapësirave, planin e biznesit dhe përllogaritjen paraprake jo përfundimtare të shpenzimeve që do t’i japin jetë godinave që sot ruajnë një peshë të rëndësishme të kujtesës historike. Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore në Spaç, rrethi i Mirditës. Ky monument është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar me numër “656/dt. 5.12.2007”. Ky burg është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e minierës së Spaçit ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës.