Met Selimi nuk mund të rrijë kurrë larg fëmijëve. Ai vazhdon edhe sot të jetë kllouni më i dashur. Tregon se ka ardhur në cirk kur ishte 7 vjeç, tashmë është me thinja, dhe nuk ndahet dot asnjë ditë nga numrat e tij të kllounatës për fëmijët. Dje festa e 1 Qershorit nuk mund të kuptohej pa kllounin e njohur, i cili kishte zgjedhur qytetin e Krujës gjatë paradites. “Jemi në Krujë dhe kemi dhënë 3 shfaqje në qytet dhe në zonat rreth tij. Me mua është dhe grimierja Anisa, që vizaton fëmijët. Të gjitha aktivitetet na kalojnë shumë mirë dhe fëmijët duket që gëzojnë”, tregon kllouni Met Selimi. Më tej ai shton se aktivitetin e tij tashmë që vjen sezoni i verës do ta çojë dhe në pishina. “Jemi shumë të zënë me aktivitete, dhe tani në verë do të fillojmë dhe në pishina, atje ku ka fëmijë do të jem dhe unë me numrat e kllounatës”, pohon Selimi, klloun. Me dekada me cirkun Met Selimi duket se nuk lodhet asnjëherë me aktivitetin e tij artistik, dhe nëse e pyet për kohën e lirë, shprehur shkurt që pothuajse nuk ka. “Më pyetët për kohë të lirë, por mua nuk më lwnë fëmijët kohë të lirë. Jeta ime ka qenë në cirk, unë erdha fëmijë në cirk dhe dola plak. Megjithatë nuk heq dorë se fëmijët janë ata që më mbajnë gjallë, i kam kushtuar gjithë jetën time, dhe sa të kem jetën, Metin ose xhaxhi Metin do ta shihni gjithmonë në skenë”, shprehet Met Selimi.