Studiuesi Ilir Ikonomi u shpall fitues i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një ditë më parë ceremoninë e ndarjes së çmimit, ku libri i gazetarit dhe studiuesit Ilir Ikonomi, “Fan Noli- Apostulli” u vlerësua si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Arlinda Dudaj dhe me anëtarë Uran Butka, Belina Budini, Bledar Kurti dhe Ardit Gjinali e vlerësuan veprën publicistike të Ilir Ikonomit me motivacionin: “Për trajtesën me objektivitet dhe profesionalizëm të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të kombit Fan S. Noli, duke dhënë gjithashtu një mesazh të rëndësishëm sesi studimi i historisë dhe kulturës së të shkuarës, na ndihmon për të kuptuar të tashmen e të ardhmen”. Gjatë marrjes së çmimit, autori ndau disa detaje nga vëllimi i dytë, të cilin pritet ta sjellë këtë vit për lexuesit. “Mit’hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë. Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua”, u shpreh ai. Për këtë çmim finalistë më parë në konkurs u shpallën: Ilir Ikonomi me veprën “Fan Noli-Apostulli”, botuar nga UET Press; Thomas Frashëri me “Frashëri i shquar, i panjohur” botuar nga “Onufri”; Ardit Bido me “Beteja për 20 përqindëshin”, botuar nga Dudaj; Natasha Lako me librin “Njeriu si një tjetër”, botuar nga UET Press; Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…” me botues UET Press. Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli u shpreh se ishte kënaqësi që kishin në këtë event zv.ministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, si edhe fituesin e edicionit të shkuar, Ben Blushi për të kaluar “stafetën” e një çmimi që sjell në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të shumanshme, siç është Mit’hat Frashëri. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit një ditë më parë ishin edhe botues, si dhe emra të njohur të krijimtarisë letrare në vend. Një vit më parë, fitues i çmimit “Lumo Skëndo” ishte Ben Blushi me librin “41 Sekrete”. Ndërsa dy vite më parë, që u mbajt edhe edicioni i parë, fituese e çmimit “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2021 ishte Lea Ypi me librin “Të lirë”.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë