Oferta për biletat me çmime të ulëta në muzetë dhe parqet arkeologjike do të jetë deri në fund të muajit shtator. Lajmin e bën me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti që shprehet se kjo bëhet edhe për shkak të krizës që po kalojmë gjatë kësaj kohe, ku bileta për parqet arkeologjike në vend apo dhe muzetë mund të blihet edhe nga shtëpia. “Asnjëherë nuk është vonë për të njohur vendin tënd. Mundësi pa fund ofrojnë muzetë, kalatë e parqet arkeologjike, të cilat edhe përgjatë këtij muaji janë hapur për publikun me çmime simbolike. Si një mbështetje, sado e vogël financiare, por edhe si një “terapi” përtëritjeje ndaj krizës që po kalojmë, vendosëm që ofertën e çmimeve të ulura, ta shtyjmë prej 31 gushtit deri në 30 shtator. Me hapa të vegjël, së bashku do t’i kthehemi normalitetit! Bli biletën tënde nga shtëpia! www.cultureticketsalbania.al ”, shkruan ministrja e Kulturës. Oferta me bileta me çmime të ulëta vlen për te Muzeu Historik Kombëtar, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër, muzeu i Skënderbeut në Krujë, muzeu “Onufri” në Berat, muzeu “Onufri” (audioguidë), parku kombëtar i Butrintit, parku kombëtar i Apoloni, kalaja e Shkdorës, ajo e Gjirokastrës dhe e Beratit. Në këtë listë janë përfshirë muzetë kombëtarë dhe parqet arkeologjike të njohura në vend. Kështu nëse flasim për Butrintin, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Po ashtu dhe Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë