Rezultatet e fazës së parë të reformës (2019-2023) dhe programi gjatë këtij viti u diskutuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku u mbajt mbledhja e Asamblesë. Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e ASH. Sipas tij, viti 2023 përbën vitin përmbyllës të katërvjeçarit 2019-2023, periudhë të cilën kjo Asamble e kishte përcaktuar si periudhën e realizimit të fazës së parë të reformës, të asaj të vetëreformimit të ASH, për të kaluar në fazën e dytë të saj: të reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor tek ne. Faza e dytë e reformës (2023-2027). Gjinushi tha se realizimi sipas ligjit nr. 53/2019 dhe statutit i fazës së parë të reformës krijoi kushtet për kalimin në fazën e dytë në 4 vitet e ardhshme, që është faza e riorganizimit të sistemit tonë shkencor. “Bazuar kjo në strategjinë kombëtare për shkencën (2023-2030) dhe ligjit të ri për shkencën, që pritet të miratohet si një masë e domosdoshme për ngritjen në një nivel më të lartë të realizimit të misionit e përgjegjësisë së ASHSH, përcaktuar nga Ligji 53/2019, posaçërisht në nenet 1 e 4, me synimin: Rritjen e mbështetjes e të financimit të kërkimit shkencor në Shqipëri, parë kjo në lidhje e bashkëpunim me atë në Kosovë, me objektiv të qartë atë të përcaktuar në konkluzionet e samitit të shtatë të akademive dhe IAL-ve publike të Ballkanit zhvilluar vjet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, që financimi për kërkimin shkencor të ngrihet në nivelin e 1 për qind të GDP-së, me synim kalimin gradual në 2 për qind”, tha ai.
Zhvillimi i shkencave albanologjike
Kryetari Gjinushi në raport foli dhe për kthimin e ASH dhe të instituteve të reja pranë saj në qendrën kryesore të kërkimit e studimit në shkencat albanologjike. “Ky bashkim rrit mundësitë për ta kryer më me efikasitet e përgjegjshmëri, së bashku, rolin e misionin; që i ngarkon ligji në nenin 4 të tij: të ndërtojë strategji e të zbatojë politika të suksesshme për zhvillimin e shkencave albanologjike e për promovimin e arritjeve të tyre brenda e jashtë vendit; të bashkëpunojë me institucionet e vendit me kapacitet kërkimi si IAL dhe institutet, më qëllim koordinimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e specialistëve të rinj”, tha Gjinushi. Për sa synohet të realizohet për vitin 2024, Asamblesë së ASH i është paraqitur programi i veprimtarive kryesore, ku sipas Gjinushit propozohen rreth 97 të tilla; programi i botimeve, ku propozohen 60 tituj e 17 periodikë; programi i projekteve; si dhe programet e veçanta të instituteve të arkeologjisë, historisë, gjuhësisë e studimeve letrare, antropologjisë, qendrës së studimit për artet e të QBEA-së, si dhe zërat kryesorë të buxhetit. Akademik Gjinushi tha se në vazhdimësi lipset të vendosen kritere më të qarta se ç’nivel e ç’lloj projektesh duhet të mbështesë drejtpërdrejt ASH, në ç’masë do të jetë kjo mbështetje dhe se si duhet të kontrollohet efikasiteti i tyre. “Synimi ynë do të jetë që ASH të financojë vetëm projekte që lidhen me objektin e punës së çdo njësie a komisioni për studime të mirëfillta shkencore që ndërmerren për herë të parë apo që kërkojnë një koordinim midis disa njësive ose që janë projekte pararendëse të një studimi madhor në të ardhmen. Sfidë e vëmendje të veçantë përbën nxitja e mbështetja për një politikë më të mirë shkencore në hartimin e programeve të njësive të përhershme”, tha Gjinushi. Sipas kryetarit të ASH gjatë këtij viti do të punohet për përmirësimin e pjesës statutuore përkatëse; plotësimin me rregulloret për rekrutimin, vlerësimin e promovimin e kërkuesit shkencor, për vlerësimin e produktit shkencor e për botimin e tyre. Gjithashtu do të punohet për riorganizimin e ristrukturimin e brendshëm të njësive për një mbulim të duhur të periudhave e tematikave kryesore, për kualifikimin e vijuesve dhe plotësimin e vakuumeve, për evitimin e copëzimit të veprimtarisë në mikroprojekte të paharmonizuara, për dhënie e përparësi të projekteve madhore e për një aktivizim të kërkuesve në përputhje me meritën e aftësitë.