Qendra e informimit për mozaikët që po ngrihet në zonën e njohur si Mozaiku i Tiranës do të krijojë mundësinë që qytetarët të shijojnë pasurinë kulturore. Në këtë qendër për të cilën po kryhen dhe punime do të ekspozohen mozaikët, që janë në disa prej siteve tona më të rëndësishme arkeologjike. Për punën që po bëhet në Mozaikun e Tiranës, ministri Blendi Gonxhja thotë se pasuritë kulturore do të shijohen nëpërmjet teknologjive moderne. “Po ecin me ritëm punimet në kantierin e Mozaikut të Tiranës, një qendër ku do të ekspozohen për publikun mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe atyre të antikitetit të vonë që gjenden në sitet tona më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera. Kjo iniciativë e shkëlqyer do të lejojë qytetarët të shijojnë pasurinë kulturore të vendit nëpërmjet teknologjive moderne, duke e bërë atë të arritshme për një gamë të gjerë publiku”, shprehet ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në rrjete sociale, që ka ndarë dhe disa foto të punimeve që po kryhen pranë Mozaikut të Tiranës. Ministri Blendi Gonxhja shton më tej se marrë parasysh se mozaikët hapen rrallë për publikun, duke qenë se janë të rrezikuar nga kushtet atmosferike, Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një grafik të përcaktuar vjetor për publikun dhe turistët e shumtë.
Ndërhyrjet te Mozaiku i Tiranës
Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Mozaiku i Tiranës më parë i është nënshtruar edhe ndërhyrjeve restauruese. Por në gusht të vitit 2021 rinisën dhe gërmimet arkeologjike. Gërmimet në këtë zonë u bënë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës. Ndërhyrjet më të fundit më Mozaikun e Tiranës sipas Ministrisë së Kulturës ishin kryer në vitet 2006-2008, nga profesor Skënder Muçaj. Më herët për punimet në këtë zonë, në vitin 2021 ish ministrja Elva Margariti tha për mediat se Mozaiku i Tiranës, ka një zonë të vetën, të mbrojtur që identifikohet shumë thjeshtë, pasi është e rrethuar me kangjella dhe e gjithë kjo pjesë administrohet nga Ministria e Kulturës. Nëse deri më sot ajo zonë njihej për Mozaikun e Tiranës, shumë shpejt do të vizitohet për një nga qendrat dedikuar trashëgimisë kulturore, historisë dhe ekspozimit të mozaikëve shqiptarë.