Opera “Rusallka” u vu në skenën shqiptare në 27 nëntor të vitit 1953, datë kjo që shënon dhe themelimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Regjisori i operës Nikolin Gurakuqi flet për rëndësinë e këtij institucioni në jetën artistike të vend, por dhe mbështetjen që duhet më shumë sot për autorët shqiptarë. Në intervistën për gazetën “SOT” Nikolin Gurakuqi tregon dhe si ndikoi për disa vjet mosvënia e veprave të huaja në skenë para ’90, që sipas tij kjo e frenoi pak zhvillimin profesional të trupës ekzistuese dhe krijuese. Ndërsa flet për aktivitetin e TKOB dhe veprat para ‘90, regjisori Gurakuqi thotë kemi dhe vepra shqiptare që janë me temë historike dhe muzikë interesante që mund të rivihen sot në skenë. Regjisori Nikolin Gurakuqi është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”, por ai tregon se vepra e parë si regjisor që vuri në skenë në aktivitetin e tij ishte “Peshkatarët e perlave”, për të vijuar më pas me shumë vepra të tjera.
-Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu për herë të parë, në skenën shqiptare, opera “Rusallka”, e kompozitorit rus A. Dargomyzhsky. Ky moment sipas dokumenteve të kohës shërbeu si një gur themeli nga i cili mori rrugë krijimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe shumë shpejt në skenë u vunë edhe opera shqiptare. Në këtë 70-vjetor të institucionit, çfarë mund të na thoni?
Themelimi i Operës kombëtare shqiptare ishte rezultat i disa institucioneve të tjera përpara se sa të vinte opera e parë në skenën tonë. Ajo erdhi si rezultat i formimit të korit të shtetit, ku im atë në moshën 17 vjeçare është bërë pjesëtar i korit, duke fituar konkursin e pranimit, pastaj u bë Filarmonia e shtetit, ku titullar i parë i saj ka qenë Foto Stamo dhe im atë kaloi në Filarmoninë e shtetit edhe si tenor edhe si korist, por dhe si prezantues i koncerteve të saj brenda dhe jashtë vendit. Dirigjenti i Filarmonisë ka qenë pionieri i dirigjimit shqiptar Mustafa Krantja. Sigurisht gjithë kjo trupë artistike kishte dhe një trupë baleti që e drejtonte Panajot Kanaçi, kishte dhe një grup individësh solistë që kishin mbaruar shkollat në perëndim. Ata matën forcat me operën e parë “Rusallka” të Alexander Dargomyzhsky. Të gjithë interpretët ishin shqiptar, ndërsa regjisori ishte rus. Opera e parë shqiptare është vënë në skenë nga një regjisor rus, por për disa vjet kështu u vunë në skenë disa opera, sepse në këtë fushë ne nuk kishim kuadro. Dirigjenti ishte shqiptar, regjisori rus. Themelimi i Operës shqiptare mban datën e vënies në skenë të operës “Rusallka” dhe ka qenë një sukses për kohën. Unë kam parë dhe pjesë të filmuara të vëna bukur në skenë. Sigurisht pastaj kjo opera pasoi me vepra të tjera, por kryesisht të repertorit rus. Atë kohë ne kishim miqësi me Rusinë dhe sigurisht qenë ata që përcaktuan edhe përmbajtje e repertorit, që do vihej në skenë. Më vonë u hap Opera jonë edhe karshi produktit shqiptar, por dhe atij operistik italian.
-Ka qenë një periudhë para ’90 kur veprat e huaja nuk u vunë në skenë, sipas jush si ka ndikuar kjo për TKOB?
Trupa e Operës, solistët, dirigjentët, regjisorë, skenografë, këta erdhën të gjithë nga shkolla. Shumica e tyre erdhën nga shkolla nivel i lartë dhe bënë shfaqje të mira. Por pas vitit 1966 kur u inaugurua Pallati i Kulturës u dhanë shenjat e një kontrolli më të madh mbi produksionin artistik dhe deri sa erdhi koha, që u dha urdhër të ndalohej repertori i huaj. Ajo ka vazhduar 6-7 vjet, pastaj u lejuan me pikatore 2 opera, si “La Bohem” apo “Berberi i Seviljes”, por përsëri u rimbyll. Kjo ka qenë periudha kur kjo mbyllje erdhi si rezultat duke justifikuar sepse do të zhvillohej opera kombëtare. Atëherë arritën ti quajnë këto vepra borgjeze, sepse kjo kohë duhet parë në okelion e politikës ndërkombëtare. Ne u prishëm me Rusinë dhe u lidhëm me Kinën. Në atë kohë Kina kishte revolucionin kulturor, ku shfaqjet e tyre ishin me kazma dhe lopata, me flamuj në skenë, etj, pra arti revolucionar. Nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez dhe këtu u hoq repertori i huaj, por kjo e frenoi zhvillimin profesional të trupës ekzistuese dhe krijuese. Sigurisht në një anë i bëri mirë sepse u krijuan vepra shqiptare, janë tipike të realizmit socialit, por kanë muzikë të mirë. Unë si regjisor kam vënë vepra kombëtare në skenë, por nuk janë të gjitha para ‘90 që janë vepra politike që kanë trajtuar njeriun e ditës, ndërtimin e socializmit. Ne kemi dhe vepra që janë me temë historike, mund të rivihen në skenë dhe kanë muzikë interesante. Në përgjithësi të gjitha veprat tona kombëtare kanë muzikë të bukur, por tematika është ajo që i lëkund. Unë kam vënë veprën “Borana” të Avni Mulës. Por veprat që kanë qenë propagandistike të asaj kohe nuk bashkëjetojnë dot me kulturën demokratike, sepse ato janë propaganda e sistemit.
-U shënua më parë 70-vjetori i TKOB, por si i kujtoni fillimet tuaja si regjisor në këtë teatër?
Unë në fillim kam qenë asistent i Pirro Manit në dy opera dhe jam marrë me regji që në 1988, ndërsa përgatitjet teorike me babanë tim kanë filluar që në 1985. Pra nuk erdhi kot ’90-ta në aktivitetin tim me regjinë. Unë isha emëruar në opera në 1978 dhe menjëherë fillova duke interpretuar role dhe sigurisht që e shikoja procedurën e vënies së veprave në skenë. Operën “Peshkatarët e perlave” që u vu në skenë në 1990 mua ma ngarkoi drejtoria e asaj kohe. Vepra pati një sukses dhe kështu filloi rruga ime regjisoriale.
-Herë pas here autorë dhe artistë të ndryshëm shprehen se për veprat e reja kombëtare duhet më shumë vëmendje nga institucionet. Si regjisor, çfarë mund të thoni?
Nikolin Gurakuqi është miku i kompozitorëve dhe kam qenë gjithmonë. Veprat i shkruajnë kompozitorët dhe libretistët, por muzika nga kompozitorët. Opera është një vepër muzikore letrare. Unë e kam treguar që kam vënë vepra shqiptare në skenë, si “Borana” të Avni Mulës, “Dhoma” e Ermir Dergjinit produksion modern shqiptar. Jam mbështetës i disa libreteve që janë në qarkullim të kompozitorëve modern shqiptarë. Jam mbështetës i tyre që veprat të vihen në skenë. Jam mbështetës dhe i veprave të kompozitorëve, që i qëndrojnë kësaj kohe. Ti çojnë veprat në drejtorinë e operës dhe besoj do ti aprovojë. Por ana financiare ka qenë problem për krijimtarinë. Siç ka konkurse për vepra letrare që organizohen me mbështetje nga Ministria e Kulturës ashtu duhet të jenë dhe konkurse për prodhim skenik baleti dhe opera. Nuk është e kollajshme të shkruash opera. Duhet më shumë stimulim për autorët shqiptarë, duhet stimuluar produksioni kompozicional operistik shqiptar nga institucionet. Para pak kohësh në TKOB u ndanë çmimet e një konkursi për kompozitorët e rinj, por kështu fillon në fillim niset nga veprat e vogla dhe pastaj do vijë te veprat e mëdha. Njerëz që krijojnë në Shqipëri janë pak dhe duhen mbështetur.
-Ju po punoni për operën “Goca e Kaçanikut”. Si regjisor, çfarë mund të na thoni mbi punën tuaj për këtë vepër shkruar nga Rauf Dhomi që do të jetë premierë në Kosovë?
Vepra “Goca e Kaçanikut” u vu në skenën e TKOB në Tiranë në vitin 1979. Unë jam zëdhënës i teatrit muzikor shqiptar, jam i hapur të vë vepra shqiptare në skenë por të mira. “Goca e Kaçanikut” do të vijë në skenë me një gjuhë bashkëkohore jo folklorike. Drejtori i operës së Kosovës Meriton Ferizi më ofroi vënien në skenë të kësaj vepre edhe si njohës i saj, sepse unë e njoh atë vepër. Tani presim datën që do jetë në skenë.
-Një aktivitet prej vitesh në opera si regjisor, çfarë ka qenë e rëndësishme për ju në punën tuaj?
Opera si gjini ka pasur realizimet e veta, por ka pasur dhe disa sëmundje të karakterit profesional muzikor skenik. Gjithë synimi i punës sime ka qenë që të kuroj sëmundjet e operës, për të thyer statizmin, për të rritur nivelin e lojës skenike, për të futur koncepte moderne në teatër. Mendoj që këto me numrin e madh të produksioneve skenike janë realizuar. Është një mision i kryer.
-Ju keni shkruar deri tani 6 libra me poezi, libri juaj i shtatë është një botim mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në artin muzikor. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi atë që përcillet përmes tij?
Libri Luigj Gurakuqi e Nikolin Gurakuqi “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në artin muzikor” është fryt i eksperiencës 60-vjeçare të dy brezave, të tim eti dhe timin në opera. Është gjithë eksperienca jonë në teatrin muzikor, dhe referuar dhe eksperiencave ndërkombëtare të teatrove të mëdhenj dhe regjisorëve të mëdhenj botërorë. Libër shkencor dhe merret me çdo gjë. Merret me specifikën e teatrit muzikor. Nëse në teatër flitet në opera këndohet dhe është një diferencë e madhe midis të folurit. Libri përmban punën e këngëtarit aktor të operës nga vokalica te realizimi i rolit. Çfarë roli dhe rëndësia e aktrimit të kënduar në teatrin muzikor, flet për punën e këngëtarit me drejtuesit e spektaklit, me dirigjentin, regjisorin, veten, pianistin; flet për punën individuale të këngëtarit, etj. Për vëmendjen skenike, për punën me dirigjentin, platforma regjisoriale, plani i provave, hapësira skenike, etj. Ajo që është më e rëndësishme është puna e regjisorit me këngëtarin aktor në teatrin muzikor, me skenografin, kostumografin, dirigjentin e korit, me dirigjentin e shfaqjes dhe deri tek kultura e tij profesionale në zhvillimin e arteve bashkëkohore, në raport me mizanskenën, etj, për të ardhur në kapitullin e fundit që janë disa këshilla për regjisorët e rinj.
Aktiviteti që nisi në 1979 në Opera
Regjisori Nikolin Gurakuqi e filloi aktivitetin e tij në TKOB në vitin 1979, në fillim si korist e më pas si solist, ku realizon një sërë rolesh të ndryshme. Disa nga rolet e tij janë : Gjergj Arianiti nga opera “Skënderbeu”; Il Marchese, opera “La Traviata”; komandanti opera “Borana”; Don Bartolo opera “Il barbiere di Siviglia”; Collin opera “La Boheme”etj. Ka interpretuar role edhe jashtë vendi si: në Francë e Itali. Pas specializimit në Francë i dedikohet tërësisht regjisë. Është autor i shumë veprave të vëna në skenën e TKOB, të Universitetit të Arteve, të disa qyteteve të tjera si Durrësi, Shkodra dhe jashtë Shqipërisë si: opera, opereta, spektakle, ndër të cilat mund të përmendim; “Tosca”; “Il signor Bruschino”; “Madama Butterfly” ; “Cossi fan’ tutte” “Il barbiere di Siviglia”; “Il Trittico”; “La serva padrona”; “Il maestro di cappella”; “Falstaf”; “Aida”; “Orfeo ed Euridice”; “Manon Lescaut”; “Otello”; “Traviata”, “Carmen” në Greqi; “Rigoletto” në Itali e plotë vepra të tjera. Ka realizuar skenografinë e shumë shfaqjeve operistike si dhe ka bashkëpunuar me shumë artistë të shquar shqiptarë dhe të huaj. Është autor i disa librave me poezi.
Intervistoi: Julia Vrapi