Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës do të zhvillojë këtë vit edicionin e parë. Themelues dhe kurator Oltsen Gripshi tregon se bienalja do të vijë si një aktivitet ndërkombëtar në artin pamor që shkon përtej një ekspozite të përbashkët rutinë dhe sjell përvoja artistike nga vende të ndryshme të botës. Bienalja do jetë e strukturuar në pavijone të ndryshme në të cilën marrin pjesë artistë nga Italia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Gjermania, Finlanda, Zvicra, Amerika, Shqipëria, Kina, Argjentina, Kuba, Bregu i Fildishtë, etj. Në intervistën për gazetën “SOT” artisti Oltsen Gripshi themelues dhe kurator i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës zbulon detaje rreth këtij aktiviteti ndërkombëtar në artet pamore. Gripshi tregon se ka qenë një punë e vazhdueshme për të themeluar një bienale me në qendër artin bashkëkohor, që vjen në vazhdën e studimeve universitare dhe pasuniversitare, si edhe përvojës tashmë disa vjeçare në lëmin e kurimit të ekspozitave dhe festivaleve të ndryshme të artit pamor. Bienalja e parë Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës me punime të ndryshme të artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj do të zhvillohet gjatë muajve tetor-nëntor dhe sipas kuratorit Oltsen Gripshi ndonëse në edicionin e saj të parë, përsëri do të jetë një ngjarje madhore, jo vetëm për qytetin bregdetar, por dhe për të gjithë Shqipërinë, pasi është e vetmja bienale “sui generis”, e cila si temë për interpretimin e së tashmes bashkëkohore ka “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.
-Durrësi një nga qytetet bregdetare në vend pret këtë vit një aktivitet ndërkombëtar. Si lindi ideja për zhvillimin e “Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit 2024” dhe kur pritet të zhvillohet?
Për themelimin e kësaj bienaleje kam vite që e mendoj dhe pa dyshim nuk ka lindur befas, pasi në prapaskenë ka qenë një punë vazhdueshme për të themeluar një bienale me në qendër artin bashkëkohor. Kjo në vazhdën e studimeve të mia universitare dhe pasuniversitare, si edhe përvojës tashmë disa vjeçare në lëmin e kurimit të ekspozitave dhe festivaleve të ndryshme të artit pamor në tërësi brenda dhe jashtë Shqipërisë. Bienalja e Durrësit u themelua në fundverën e vitit 2023 me qëllimin për t’i dhënë qytetit të dytë më të madh në Shqipëri, Durrësit, jo thjeshtë një ekspozitë të përbashkët mes artistëve të artit bashkëkohor, por një BRAND artistik e mbi të gjitha për të ngritur një institucion të mirëfilltë ekspozues, kërkimi shkencor dhe laboratori krijues, brenda të cilit të përfshiheshin vetë artistët, krijimtaria e tyre përmes estetikës bashkëkohore, edukimi përmes artit, shkëmbimi i përvojave mes profesionistëve të fushës në lëmin e kurimit, galeristëve, muzeologëve, koleksionistëve, historianëve dhe kritikëve të artit. Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit apo me shkurtimin “BNABD” do të zhvillohet nga data 5 tetor deri më 24 nëntor 2024 në Durrës.
-Kjo do jetë bienalja e parë në Durrës, si është e organizuar në pjesën artistike dhe veç artistëve shqiptarë, artistët e tjerë nga cilët shtete do të vijnë?
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit ndonëse në edicionin e saj të parë, përsëri do të jetë një ngjarje madhore, jo vetëm për qytetin e Durrësit, por besoj dhe shpresoj për të gjithë Shqipërinë, pasi është e vetmja bienale “sui generis”, e cila si temë për interpretimin e së tashmes bashkëkohore ka “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”. Një temë, ku artistët nga vende të ndryshme të botës janë përzgjedhur e ftuar nga një juri ndërkombëtare profesionistësh, ku pjesë e secilës është Massimo Scaringella kurator nga Italia (kryetar jurie), Prof. Ph.D. Tatiana Berdnik muzeologe nga Universiteti Politeknik Don në Rusia, Ph.D. Yan Laichao kurator nga Universiteti Jinan në Kinë, Ph.D. Realda Abdija historiane arti, Alfred Mirashi Milot artist bashkëkohor dhe Fatmir Juka dr. i Galerisë së Artit Shkodër. “BNABD 24” është e strukturuar në pavijone kombëtare në të cilën marrin pjesë Italia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Gjermania, Finlanda, Zvicra, Turqia, Amerika, Shqipëria, Kina, Argjentina, Kuba dhe Bregu i Fildishtë.
-Bienalja do të zhvillohet për herë të parë këtë vit gjatë muajve tetor-nëntor, por në Durrës ku janë menduar hapësirat për zhvillimin e saj?
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit është lënë enkas për t’u zhvilluar përgjatë dymuajshit tetor-nëntor 2024, pasi është edhe periudha ku qyteti bien në një qetësi pas sezonit turistik veror. Ndaj është menduar si një ftesë drejtuar kujtdo për të vizituar bienalen, prekur e ndjerë nga afër emocionet e secilës vepër artistike përfaqësuese të pavijoneve kombëtare dhe për t’u njohur me zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor nëpërmjet Artist Talk, Art Historian Talk, Gallerist Talk, Curator Talk dhe Workshop-eve të cilat do të jenë pjesa didaktike e “BNABD 24”. E gjitha kjo bëhet që ndërveprimi midis komunitetit durrsak, profesionistëve të fushës, studentëve të arteve, vizitorëve të ndryshëm dhe “BNABD” të jetë sa më aktiv dhe frytdhënës në aspektin njohës e për rrjedhojë edhe edukues përmes artit. Një qasje e tillë do ta shndërrojë qytetin e Durrësit përgjatë dy muajve të mbajtjes së bienales në një pikë referimi artistik, kulturor, edukues, kërkimi shkencor dhe turistik, gjë, e cila do të gjallojë skenën kulturore me shkëmbimin e përvojave dhe ideve mbi dhe rreth artit bashkëkohor në Shqipëri e përtej saj. “BNABD 24” nuk do të jetë vetëm në galerinë e artit “Nikolet Vasia”, por ajo do të shtrihet në disa prej institucioneve më ikonike të qytetit, një mënyrë kjo për të përfshirë e gjallëruar kënde të ndryshme, ku pjesë e tyre të mund të bëhen edhe vetë komunitetet që bashkëjetojnë me këto godina të cilat kanë shkruar historinë e Durrësit.
-Çfarë sjellin në pjesën artistike këto aktivitete ndërkombëtare në vendin tonë dhe sa iu shërben dhe artistëve shqiptarë?
Një aktivitet i tillë siç është Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit, që në të vërtetë është një institucion, i cili shkon përtej një ekspozite të përbashkët rutinë sjell së pari përvoja artistike nga vende dhe qasje kulturore të ndryshme. Së dyti e vendos qytetin e Durrësit pjesë të hartës ndërkombëtare të bienaleve, duke e kthyer atë në një referencë artistike ndërkombëtare për artistë e krijues nga e gjithë bota, së treti i jep Durrësit një brand të ri, që ndikon ndjeshëm dhe drejtpërdrejt në promovimin turistik të qytetit dhe së katërti siç edhe e theksova më sipër është një hapësirë, laborator edukimi përmes artit, sepse së fundmi shumë qytetar që kanë lexuar e dëgjuar për zhvillimin e bienales më kanë pyetur se çfarë është bienalja?! Pyetje të cilat më kanë bërë të reflektoj e të bindem edhe më shumë për realizimin e Bienales së Durrësit, si një mundësi shumëplanëshe për të gjithë dhe këdo që kërkon të njohë, përftojë dhe pse jo të bëhet pjesë e bienales në të ardhmen.
-Një aktivitet i përmasave të tilla ndërkombëtare sigurisht që kërkon dhe mbështetjen financiare. Sa e keni gjetur atë dhe këtë vit cilët ndihmojnë në organizimin e saj te pjesa institucionale?
Pyetja e duhur, sepse pa një mbështetje nuk mund të realizosh një sipërmarrje të tillë nën emërtesën “Biennale”. Kjo, sepse e theksoj përsëri nuk është thjesht një ekspozitë e përbashkët mes artistëve, por një institucion largpamës dhe gjithëpërfshirës artistik, hulumtues, edukues dhe turistik. Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit bëhet e mundur falë largpamësisë së kryetares së Bashkisë Durrës znj. Emiriana Sako, e cila nëpërmjet thirrjes së hapur për projekte i dha mundësinë kujtdo për të aplikuar, ku mes disa projekteve të përzgjedhura nga Bordi Artistik i Bashkisë Durrës ishte edhe projekti për zhvillimin e “BNABD”-s. Një tjetër institucion shumë i rëndësishëm që mbështet “BNABD” është edhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si edhe partnerë të tjerë që janë disa prej ambasadave të huaja në Tiranë, të cilat bëjnë të mundur ardhjen e artistëve të tyre për përfaqësimin e pavijoneve kombëtare. Në mbështetje të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit janë edhe disa media të njohura nga Italia, Shqipëria, Zvicra dhe Turqia.
Intervistoi: Julia Vrapi