Në sistemin e arteve pamore roli i kuratorit është qëndror, por në vendin tonë duket se pak rëndësi i kushtohet. Historian arti dhe kurator Ph.D. Oltsen Gripshi thotë se në vendin tonë roli i kuratorit duket se është keqkuptuar. Në intervistën për gazetën “SOT” historiani i artit Ph. D. Oltsen Gripshi thotë se kuratori sot është ajo figurë profesionale, e cila merret nga A-ja te Zh-ja me të gjithë procesin për hapjen e një ekspozite, qoftë kjo vetjake, apo e përbashkët. Sipas historianit të artit, kuratori është një profesion i mirëpërcaktuar dhe i mirëorganizuar, pasi për të qenë i atillë duhet të kesh studiuar dhe jo siç shpeshherë dikush thotë jam kurator kur nuk ka një formim të tillë. Sipas tij, së pari kuratori për të gëzuar një profil të tillë do të duhet të zotërojë mirë disa njohuri teorike, të cilat pa to është mirë t’i qëndroj larg këtij profesionin, sepse më shumë e dëmton.
-Në aktivitetin tuaj ju kemi parë dhe në rolin e kuratorit. Çfarë mund të na thoni mbi rëndësinë e figurës së kuratorit?
Kuratori është tashmë një figurë qëndrore në organizimin dhe menaxhimin e një artisti të artit pamor. Figura e kuratorit lindi rastësisht në vitin 1855 kur artisti francez Gustave Curbet u refuzua të ekspozonte në ekspozitën e përvitshme të njohur si: “Exposition universelle des produits de l’agriculture, de l’industrie et des beaux-arts”. Një ekspozitë, e cila u themelua në Londër nga princi Albert bashkëshort i mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe Royal Society of Arts në vitin 1851, ku ekspozita e parë u hap në Pallatin e Qelqtë (Crystal Palace). Theksoj këtë ngjarje të rëndësishme për historinë e artit, pasi asokohe pavetëdije u shndërrua në themelimin e figurës së kuratorit si nevojë për mirëorganizimin dhe promovimin e artit bashkë me artistin. Kjo, sepse deri në vitin 1855 i gjithë sistemi i artit ishte në duart e Akademive të Arteve të Bukura dhe kritikëve të artit. Proces ky, i cili konsistonte vetëm në leximin sipërfaqësor të veprave të artit. Pas refuzimit Curbet detyrohet të ekspozoi në një tjetër ekspozitë vjetore të njohur si “Salon”, që hapej në Musée du Louvre dhe pikërisht kjo ekspozitë alternative themeloi një sistem të ri arti përtej stereotipeve dhe klisheve të ngurta të kohës. Por edhe Salon në vitin 1863 bëri të njëjtin “gabim” sikundër ndodhi me refuzimin e Curbet nga Exposition Universelle të ’55, ajo refuzoi një grup artistësh si: Édouard Manet, Claude Monet, Camille Pissarro, James Whistler e të tjerë të cilët njihen si artistët e “Salon des Refusés”, por që me artin e tyre themeluan impresionizmin. Një rrymë artistike që do të frymëzonte më pas artin modern në Evropë dhe USA. Ishin këto vitet ku roli i kuratorit erdhi gjithmonë e më shumë duke u evidentuar (ndonëse ishte ende i pa mirëpërcaktuar si atillë me atë që njihet sot) si mënyra e vetme për vlerësimin dhe shitjen e veprës artistike. Risia më e rëndësishme konsiston në faktin se juritë e këtyre ekspozitave nuk përbëheshin më vetëm nga piktorët më të njohur të kohës siç ndodhet më parë, por edhe nga publiku i gjerë, kështu që problemi i prezantimit të veprës bëhet parësor dhe salla e ekspozitës merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Me avangardat artistike, kurimi bëhet një metodologji përmbysëse ndaj sistemit zyrtar, një instrument krijues eksperimentimi i përqendruar në shitjen / merkatën e artit. Ndër teoricienët e parë në themelimin e figurës së kuratorit ishin arkitektët: Marcello Piacentini, Gio Ponti dhe Duilio Torres të cilët i shikonin ftohtë artet pamore dhe kërkonin që veprat të merrnin rëndësinë e duhur gjatë ekspozimit dhe kësisoj hodhën bazat për një organizim më racional të hapësirës së ekspozitës, duke studiuar përdorimin e dritës dhe ngjyrës për një mjedis funksional, që do të lejonte veprat e ekspozuara të merrnin një tjetër vlerë dhe rëndësi.
-Ju keni marrë pjesë në aktivitete të ndryshme jashtë vendit, çfarë ndodh dhe sa i kushtohet rëndësi punës së kuratorit?
Në sistemin e sotëm të arteve pamor roli i kuratorit është qëndror, krejt i ndryshëm nga ç’ka rrëfeva më sipër. Kuratori sot është ajo figurë profesionale, e cila merret nga A-ja te Zh-ja me të gjithë procesin për hapjen e një ekspozite, qoftë kjo vetjake, apo e përbashkët. Sot përtej Shqipërisë kemi dy tipologji kuratorësh, ai institucional, pjesë organike e muzeve / galerive në organizimin e ekspozitave nga institucionet muzeore dhe ai në profesion të lirë që me iniciativën e tij, apo me ftesë nga artisti /ët ose nga cilido që kërkon të hapë një ekspozitë. Puna e kuratorit të pavarur, ndryshe nga ajo e kuratorit institucional, nuk ka të bëj me një kontekst ekskluziv të diktuar nga muzeu, apo galeria, por i përket largpamësisë dhe lirisë së tij për të hulumtuar teorikisht një temë të caktuar e më pas krijimin e një ekspozite me vepra të cilat konkretizojnë atë temë. Ndaj kuratori i pavarur jashtë institucioneve muzeore është një figurë themelore për zhvillimin e mëtejshëm të artit, rritjes së vlerës ekonomike të veprës artistike dhe identifikimin e talenteve të reja artistike për t’i promovuar e më pas për t’i bërë ata pjesë të tregut të artit. Në një mënyrë kuratori është një “stock broker”, që jo vetëm gjurmon vlerat e mirëfillta artistike tek artisti, duke i promovuar ato, por ai investon për të ardhmen dhe kuotimin e vlerës së shitjes së veprës artistike në merkatën e artit.
– Cilat janë detyrat e kuratorit dhe çfarë përgatitje duhet të ketë ai / ajo, apo mund ta bëj kushdo?
Besoj është e qartë, e shkruar e zeza mbi të bardhë që kuratori është një profesion i mirëpërcaktuar dhe i mirëorganizuar, pasi për të qenë i atillë do të duhet të kesh studiuar dhe jo siç shpeshherë unë e theksoj dikush zgjohet në mëngjes dhe thotë: – Unë jam kurator! Jo, nuk funksionon kështu, pasi së pari kuratori për të gëzuar një profil të tillë do të duhet të mirë zotëroj disa njohuri teorike të cilat pa to është mirë t’i qëndroj larg këtij profesionin, sepse më shumë e dëmton, e përdhos atë sesa e bën të besueshëm në sytë e artistit dhe institucioneve të lidhura ngushtësisht me të. Njohuritë e zotërimit janë: Njohja e historisë së artit; Njohja e stileve të ndryshme të artit; Njohja e koncepteve të projektimit, teknikës, teknologjisë, inovacioneve, etj; Njohuri për ligjet dhe praktikat etike brenda trashëgimisë kulturore; Njohuri për tregun e artit; Njohuri teknike mbi parimet e ndriçimit dhe ndriçimit të punimeve, analiza e pozicionimit të punimeve dhe planifikimi i itinerareve brenda ekspozitës se si do të duhet të ekspozohen veprat mbështetur edhe në konceptin kuratorial; Njohuri për menaxhimin financiar (përpunimi i një plani sponsorizimi dhe financimi nga institucione publike, private, apo organizata të ndryshme); Njohuri për metodologjitë e komunikimit dhe promovimit; Njohuri mbi muzeologjinë. Përpos aspektit të formimit profesional universitar, kuratori ka disa detyra specifike për realizimin me sukses të një ekspozite si: Përzgjedh temën e ekspozitës; Shkruan tekstin kuratorial; Përzgjedh artistin / artistët dhe veprat që do të ekspozohen; Përzgjedh muzeun, apo galerinë për realizimin e ekspozitës në shërbim të konceptit kuratorial; Menaxhon burimet ekonomike dhe kërkoni fonde të reja nga institucione publike, bankat, shoqatat dhe fondacionet e ndryshme; Vendos për pajisjet që do të përdoren për krijimin e ekspozitës; Koncepton, projekton dhe organizon instalimet e përkohshme, duke vendosur sistemet që do të përdoren (tradicionale, teknologjike, etj); Planifikon planin e veprimit të marketingut dhe promovimit të ngjarjes. Vendos për strukturën dhe informacionin që do të përfshihet në katalogun e ekspozitës, koordinon dhe mbikëqyr punimet e transportit dhe montimit të veprave artistike, menaxhon marrëdhëniet me artistët, drejtorin e institucionit, klientët, kritikët e artit, revistat e specializuara, etj.
-Po në Shqipëri ku zhvillohen jo pak aktivitete me në fokus artin figurativ qofshin private si projekte si dhe raste nga institucionet, sa rëndësi i kushtohet dhe ku shikoni ju se duhet përmirësuar?
Roli i kuratorit në Shqipëri është i keqkuptuar! Çfarë do të thotë kjo? Ashtu si shumëçka edhe kuratori tashmë në Shqipëri është në rënie të lirë, ku graviteti i mendësisë së masës për të bërë gjithçka përfundon duke mos bërë mirë asgjë. E kam thënë edhe në intervista të tjera, sikurse e kam trajtuar këtë çështje tepër delikat edhe në studimet e mia shkencore të referuar nëpër konferenca të ndryshme shkencore jashtë vendit, se kuratori nuk është thjesht një dëshirë, pasi dëshira nuk është e barazvlefshme me cilësinë. Padyshim që edhe në Shqipëri ka 1, 2 kuratorë të mirëfilltë të cilët merren seriozisht me këtë profesion, por pjesa më e madhe e bëjnë atë për inerci, për një emër onorifik të vendosur në posterin e ekspozitës si për të thënë që: – edhe unë jam kurator, apo artisti për të treguar se ekspozitën e tij e ka kuruar dikush, por i vetëdijshëm që ai/ajo kuratori/ja është tërësisht fiktiv pa asnjë vlerë për evidentimin teorik dhe ekspozues të krijimtarisë së tij përballë gjykuesit më të madh, të vërtetë e të saktë që është publiku. E vetmja gjë që mund të them për përmirësimin e këtij trendi, ku të gjithë “jemi kuratorë” dhe vlerësuar rolin e kuratorit të mirëfilltë, por njëkohësisht edhe të vetvetes (flas këtu për artistin) është që ekspozitën t’ia besoj një profesionisti e jo një pseudo-kuratori të pashkolluar, i cili dje kishte një profesion tjetër dhe sot u zgjua për çudi një kurator!
-Në Shqipëri pak flitet për rolin e kuratorit…
Po, është e vërtetë që pak flitet, sepse pak njihet. Unë jam munduar dhe nuk do të resht së foluri rreth kësaj figure qëndrore për realizimin e ekspozitave, sepse kuratori nuk është thjesht një emër, por një profesion i mirëfilltë e i formësuar nga një trinom i përbërë: histori-kritik arti, filozofi dhe marketim.
Intervistoi: Julia Vrapi