Tituj librash të rinj, botime të ndryshme, takime e diskutime mbi sfidat mbi të cilat përballet libri dhe leximi në Panairin e Librit në Tiranë. “Libri na bashkon të gjithëve” është motoja e edicionit të 26-të të Panairit të Librit, që nisi këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve. E kthyer në traditë, ceremonia çelëse, bëri bashkë në Pallat të Kongreseve botues, autorë, lexues, drejtues të Shoqatës së Botuesve, etj. Gjatë ceremonisë së hapjes përshëndeti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, botuesi Petrit Ymeri, i cili vuri në dukje kontributin e botuesve në sektorin kulturor, duke e konsideruar panairin tradicional të Tiranës si një mundësi tjetër për të qenë sa më afër lexuesve. “Lexuesit janë subjekti dhe objekti i këtij panairi, pa ta ne nuk do e mundësonim dot”, tha ai ndër të tjera. Ministrja e Kulturës Elva Margariti vuri në dukje rëndësinë e Panairit të Librit në Tiranë. Sipas saj, panairi është bërë një takim ku libri është pika e takimit. “Është një takim ky që gjithnjë e më shumë po gjallëron jo vetëm jetën artistike të Tiranës, por është bërë një takim midis brezave, midis profesionistëve. Është bërë një takim ku libri është pika e takimit dhe dialogut”, tha ministrja Elva Margariti. Një institucion të vërtetë, e quajti panairin drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, dhe një mundësi për gjithë autorët e konsideroi shkrimtari i ri Andreas Dushi në fjalën e tij.
Panairi një ngjarje e shumëpritur
Panairi është një ngjarje e shumëpritur nga çdo botues, autor, përkthyes, etj. Botuesi Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” tregon se dhe këtë panair ashtu si në çdo vit botimet e reja janë në stenda për lexuesit. “Më të çmueshmin kemi Ndre Mjeda, veprën letrare në dy vëllime. Botim i plotë, që botohet për herë të parë”, tregon botuesi Kulli. Panairi i Librit pesë ditë të mbushura me promovime, autorë të ftuar, takime e diskutime mbi sfidat me të cilat përballet libri e leximi, por mes debateve nëse shqiptarët lexojnë ose jo sfidë kryesore e botuesve mbetet afrimi i lexuesve me librin. Botuesi Frano Kulli thotë se libri duhet të shkojë te lexuesi. “Afrimi i lexuesve është më kryesorja. Fundja, libri që nuk shkon tek lexuesi për çfarë duhet”, u shpreh Kulli. Disa nga të ftuarit e huaj pjesëmarrës në aktivitetet e ndryshme në Panairin e 26 të Librit përmendim futbollistin francez Lilian Thuram, përkthyesja e shquar italiane Ilide Carmignani, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, etj. Sot në ditën e dytë, Shoqata e Botuesve organizon një seminar rreth problemeve të përkthimit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip. Në këtë seminar është e ftuar edhe përkthyesja italiane Ilide Carmignani. Këtë vit në panair është pjesëmarrja e 95 ekspozuesve, shtëpi botuese, institucione të arsimit të lartë dhe të tjera që punojnë me librin. Sa i përket shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare në Panairin e Librit mbizotërojnë stendat nga Kosova. Panairi i Librit në edicionin e 26-të që nisi dje në Pallatin e Kongreseve do të vijojë deri në datë 19 nëntor. Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998.