Muzeu Historik Kombëtar është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri, ku në kuadër të përmbushjes së misionit të tij e pasuron fondin me artefakte të ndryshme. MHK-së iu dhurua “Pema gjenealogjike e familjes Kastrioti, dega e Napolit” nga z. Giorgio Maria Castriota Scanderbeg. Kjo bëhet me dije nga institucioni muzeor, që ka ndarë dhe disa foto në faqen e saj gjatë këtij dhurimi që u bë një ditë më parë. “Në kuadër të përmbushjes së misionit të tij Muzeu Historik Kombëtar e pasuron fondin me artefakte të ndryshme. Konkretisht sot një pinjoll i familjes së Kastriotëve, Z. Giorgio Maria Castriota Scanderbeg i dhuroi Muzeut Historik Kombëtar “Pemën gjenealogjike të familjes Kastrioti, dega e Napolit””, thuhet nga Muzeu Historik Kombëtar. Përmes një ceremonie një ditë më parë u nënshkrua dhe kontrata e dhurimit nga drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar, znj. Entela Çipa, dhe z. Giorgio Maria Castriota Scanderbeg. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, por synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Muzeu Historik Kombëtar ka disa pavijone. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë