Performanca te Ura e Vashës ishte lartësia më e madhe për akrobaten e njohur Fiona Rushiti. Një artiste me performanca spektakolare në vende të ndryshme, këtë herë zgjodhi Urën e Vashës për performancën e radhës. Akrobatja Rushiti gjithmonë merr vëmendje me aktivitetin e saj, ku dhe këtë herë spikati me performancën që dhuroi në lartësi të madhe. Një performancë e veçantë siç tregon vetë ajo, ku e lidhur në litarë iu desh të përballej dhe me vështirësitë e krijuara nga moti. “Kisha shumë vështirësi nga era. Ura më e lartë në Ballkan është Ura e Vashës. Aty performova në 152 metra lartësi, por duke qenë që është një lartësi e madhe për mua kisha dhe pak frikë. Gjatë gjithë kohës që performova kishte shumë erë dhe ishte ftohtë”, tregon ajo për performancën, që zhvilloi të hënën. Butrinti, ura monument kulture, kala, etj, janë disa nga zgjedhjet e saj për performanca. Por akrobatja e njohur Fiona Rushiti tregon se përpara Urës së Vashës, performanca e saj e fundit ka qenë në Kosovë. “Kam bërë një performancë në një urë shumë më të ulët në Grykë të Rugovës dhe kam qenë duke bërë prova për të arritur këtë lartësi te Ura e Vashës. Por mbi Urën e Vashës kalonin mjete të rënda dhe kishte dhe një dridhje që unë e ndjeja, ndikoi shumë era siç u shpreha më lart dhe ishte e frikshme si performancë. Në karrierën time është lartësia më e madhe që unë kam kapur, 152 metra dhe kjo është e faktuar”, tregon Rushiti. Ndërsa herë pas here në aktivitetin e saj dhuron performanca spektakolare, akrobatja Fiona Rushiti shprehet se në vijim ka të tjera projekte. Por ajo thotë se duhet dhe një mbështetje nga institucionet, pasi gjithçka e realizon vetë. “Kam dëshirë të performoj në vijim në një vinç pallati dhe varet se sa do mundësohet, sepse kanë dhe frikë. Unë ndërkohë stërvitem te “Rock Tirana” dhe falë atyre kam arritur të bëj performanca. Si akrobate e them që duhet më shumë mbështetje nga institucionet, janë performanca që i bëj me buxhetin tim”,tregon akrobatja Rushiti.
Aktiviteti dhe puna
Fiona Rushiti një talent i zbuluar në moshë të vogël, me pasion dhe përkushtim ka arritur t’ia dalë mbanë. Për akrobaten Fiona Rushiti kjo rrugë për të arritur suksesin nuk ka qenë e lehtë. Guximi ka qenë pika kyçe e saj, pasi prej vitesh performon në lartësi të mëdha. Në Brar të Tiranës ka qenë pikërisht performanca me të cilën ajo ka spikatur, ku në një majë mali, ngjeshur pas një litari dhe pa mjete të tjera mbrojtëse akrobatja kreu ushtrime në 100 metra lartësi. Një vit më parë festat e nëntorit sollën aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore. Mes tyre edhe akrobatja Fiona Rushiti dhuroi një performancë të veçantë, që u shfaq në 110-vjetorin e Pavarësisë. Fiona Rushiti gjithashtu trajnon grup-moshat e reja, që pse jo sipas saj të kemi akrobatë të tjerë të shkëlqyer në të ardhmen. Për sa u përket opinioneve të njerëzve që e ndjekin, Fiona tregon se mesazhe të ndryshme i vijnë ku mezi presin performancat e radhës.