Pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri”, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Krishti i Gjithëpushtetshëm” (Pantokrator) vepër e shek. XVI- XVII i atribuar “Ateliesë së Onufrit”. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se ikona paraqiste problematika të ndryshme, të cilat e bënin të pa lexueshme. “Si dëmtim të shtresave përgatitore dhe dëmtim të pelikulës piktorike në gjithë sipërfaqen e ikonës, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme dhe mbivendosje që tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e veprës. Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet për ekspozim publikut të gjerë të muzeut që tashmë të admirojë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të ateliesë të mjeshtrit Onufri në këtë ikonë”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, që ka ndarë në faqen e saj dhe foto të ikonës që është restauruar. Qendra Kombëtare Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “muze kombëtar” në varësi të Ministrisë së Kulturës me seli në qytetin e Beratit, e cila administron muzeun ikonografik “Onufri” dhe muzeun Etnografik. Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë