Ditët e Panairit të Librit janë të mbushura me aktivitete, por nuk mungoi dhe diskutimi mbi problemet e përkthimit të letërsisë për fëmijë. Një seminar që u zhvillua në ditët e panairit nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë bëri bashkë përkthyes, botues dhe studiues në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi problemet e përkthimit. Ndryshe nga vitet e tjera, nuk ishte cilësia e përkthimit të librit në përgjithësi, por të librit për fëmijë. Kjo vëmendje shkoi për lexuesin e vogël, sepse ai do të jetë lexuesi i së ardhmes.
Moderatori i seminarit ishte përkthyesi Ilir Baçi, ku e ftuar ishte dhe përkthyesja e njohur italiane Ilide Carmignani, që foli rreth tendencave të editorisë italiane në këto vitet e fundit, vendin që zë letërsia e vendit në treg, letërsia e përkthyer dhe letërsia sipas vendeve. Në materialin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë thuhet se seminari u konceptua i ndarë në tri pjesë. “Pjesa teorike, çfarë përkufizohet si letërsi për fëmijë dhe dy pjesë te tjera, politikat e botimit si dhe puna konkrete në përkthim, përkthimi i elementeve kulturore, mënyrat e përkthimit, amëtarizim apo të huajzim, zëri i personazheve, etj”, thuhet për këtë diskutim që u zhvillua gjatë ditëve të Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Letërsia që u drejtohet fëmijëve është një nga mjetet më të mira për ata, për të zbuluar një pjesë të vogël të botës, por edhe për të zbuluar vetveten: është një mjet apo medium që hapet ndaj pyetjeve dhe zbulimeve dhe u jep fëmijëve shumë, sepse përmban farat e rritjes, mençurisë, argëtimit dhe historisë së njerëzimit dhe brezave. “Letërsia e përkthyer për fëmijë zë një vend të rëndësishëm, ose më saktë vendin kryesor në letërsinë që u ofrohet fëmijëve nga botuesit shqiptarë, prandaj kërkon edhe një kujdes të veçantë edhe nga përkthyesit, por edhe nga botuesit”, thuhet në materialin e SHBSH. Në seminar folën shumë përkthyes, pati debate të vlefshme, u rrahën mendime dhe u la një “takim” i ri, pa pritur panairin tjetër të radhës.
Diskutimi mbi përkthimin, në vijim të aktiviteteve
Problemet e përkthimit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip u diskutuan gjatë ditës së dytë të Panairit të Librit në Tiranë, që këtë vit po zhvillon edicionin e 26-të të tij. Panairi i Tiranës, i vetmi që mbledh të gjitha ngjarjet më interesante të librit, gjatë një viti. Ekspozim, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë.
Këtë vit në panair është pjesëmarrja e 95 ekspozuesve, shtëpi botuese, institucione të arsimit të lartë dhe të tjera që punojnë me librin. Sa i përket shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare në Panairin e Librit mbizotërojnë stendat nga Kosova. Panairi i Librit në edicionin e 26-të që nisi më datë 15 në Pallatin e Kongreseve do të vijojë deri në 19 nëntor.