Ekspozita e përvitshme e pikturës shqiptare “Nëntor” këtë vit në edicionin e 26-të të saj vjen me pjesëmarrjen e artistëve të njohur. “Nëntor 26” në jetën artistike të Tiranës është një nga aktivitetet me rëndësi në fushën e artit pamor, ku dhe këtë vit autorët do të prezantojnë vepra nga krijimtaria e tyre. Ekspozita hapet këtë mbrëmje në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve e organizuar nga piktori Aleksandër Filipi. Ai shprehet se piktorët prezantohen me punë të reja, si rregull është që prezantohen me 1 apo 2 vepra në pikturë, kryesisht në gjininë e kompozimit. “Ky grupim i “Nëntorit” ka për specifikë tablonë kompozicionale dhe figurën, kryesisht në gjininë e pikturës së kavaletit. Kjo ka qenë një objeksion dhe tendencë e këtij grupi piktorësh për tu paraqitur. Ne e kemi si kriter një ose dy vepra të gjinive të tablove kompozicionale, por mund të jetë dhe portret, figurë njerëzore, ndërkohë duhet që tabloja të jetë e paekspozuar më parë. Kryesisht tablo kompozicionale, që me gjuhën e artit bashkëkohor tenton të trajtojë dhe probleme, që shoqërojnë në vazhdim jetën e vendit tonë”, thotë piktori dhe kuratori Aleksandër Filipi mbi pjesëmarrjen në këtë ekspozitë, që hapet këtë mbrëmje në Tiranë.
Piktorët dhe individualiteti krijues
Ekspozita “Nëntor” është një nga veprimtaritë e rëndësishme në jetën artistike në kryeqytet, e cila fton publikun të shohë punime që prezantohen për herë të parë në galerinë FAB, por piktori Aleksandër Filipi thotë se janë piktorë të konsoliduar në individualitetin krijues. Ai thotë se si grupim nuk kanë ndonjë platformë, përveçse platformës së madhe të të jetuarit me artin dhe për të ndjekur ose shtuar veprën e tyre në numrin e madh të veprave të krijuara gjatë jetës.“Janë piktorë të konsoliduar në individualitetin krijues dhe përpjeka e secilit është që të vijë me një prurje brenda vetes”, thotë Filipi. Ekspozita që hapet sot në galerinë FAB vjen në vijim dhe të tjerave që janë hapur më parë në këto mjedise. Piktori Aleksandër Filipi thotë se dhe kjo ekspozitë realizohet me forcat e vetë artistëve. “Ne te galeria FAB e kishim dëshirë për ta hapur ekspozitën “Nëntor” dhe aty është dhe Universiteti i Arteve, ku disa nga pjesëmarrësit e këtij grupi janë dhe pedagogë në UA”, thotë Filipi. Ekspozita në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve përmban punime të artistëve si: Aleksandër Filipi, Anastas Konstandini, Adrian Devolli, Andi Hila, Artan Buca, Ardit Boriçi, Agron Mesi, Buron Kaceli, Dea Tili, Denisa Brahimi, Eniela Veveçka, Erion Bardhi, Erina Dibra, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Llazar Taçi, Merita Selimi, Meri File, Nikolin Ivanaj, Shpëtim Kërçova, Pëllumb Bylyku, Orlis Vathi, Zef Shoshi, etj. Ekspozita në galerinë FAB do të qëndrojë deri në fund të këtij muaji.