Poezitë e kthyera në këngë hit erdhën përmes interpretimit të dy aktorëve Yllka Mujo dhe Luiza Xhuvani. Dy aktoret e njohura u shoqëruan në piano nga Merita Tërshana dhe për publikun e pranishëm u sollën poezitë më të njohura që janë kënduar ndër vite në këngë. Mbrëmja poetike në sallën e Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë mbylli dhe Javën Kulturore Kombëtare që nisi para disa ditësh dhe vijoi me aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore. Kjo mbrëmje e 30 nëntorit dhuroi emocione tek të pranishmit, ku u interpretua krijimtaria e autorëve të njohur si Teodor Keko, Zhuliana Jorganxhi, etj. “Secili prej nesh i njeh këngët e ardhura nga poezia, shumë prej nesh i nëpërmendin menjëherë sapo dëgjojnë melodinë. Për të gjithë ata që janë të apasionuar me këtë ndërthurje unike të artit të shkrimit me muzikën, ju ftojmë në një mbrëmje të veçantë ku në fokus janë poezitë të kthyera në këngë hit”, thuhej më herët për këtë mbrëmje në faqen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Kjo mbrëmje me dy aktoret e njohura Yllka Mujo dhe Luiza Xhuvani ku u interpretuan poezitë e kthyera në këngë hit ishte një nga momentet e veçanta të Javës Kulturore Kombëtare.
Aktivitete në Tiranë, por dhe në qytete të tjera
Në Javën Kulturore Kombëtare janë zhvilluar aktivitete të ndryshme në Tiranë, por nuk kanë munguar dhe në qytete të tjera të vendit. Java Kulturore Kombëtare nisi më 21 nëntor dhe vijoi deri në datën 30 të muajit që lamë pas. Pjesë e kësaj jave u bënë dhe artistë, autorë e studiues nga Kosova në aktivitetet e ndryshme që u zhvilluan, por nuk munguan dhe çmime letrare. Çmimi i rëndësishëm letrar “Beqir Musliu” që ndahet nga Komuna e Gjilanit për autorë që kanë lënë gjurmë mes veprave të tyre me synim nderimin dhe njohjen edhe më të gjerë e të vijueshme të veprave letrare, këtë vit iu dha shkrimtarit të mirënjohur z. Ismail Kadare. Kjo ceremoni u mbajt në Ambasadën e Kosovës në Tiranë dhe padyshim mbetet një festë për letrat shqipe në këtë Javë Kulturore. Ndër aktivitete përmendim dhe ekspozitën e artistit nga Kosova, Ermir Zhinipotoku në Tiranë. Ekspozita e tij “Prej studios: përzgjedhje e pikturave dhe skicave” u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Pjesë e kësaj jave ishte dhe koncerti “Tingujt e Lirisë” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me një përmbledhje të këngëve shqiptare me interpretimet e solistëve Ylber Gjini, Eva Golemi, Armando Likaj, Adelina Paloja, Denis Skura, Simona Karafili, Matias Xheli dhe Igli Rapaj, nën dirigjimin e Dritan Lumishit me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së. Në aktivitete përmendim dhe koncertin e Shpat Dedës në Tiranë. Kantautori i dashur për publikun mbajti një koncert në sallën e Katedrales së Kishës Ortodokse, ku erdhën adhurues të muzikës së tij. Në Javën Kulturore Kombëtare në Vlorë u zhvillua koncerti “Atdheu ynë”. Në këtë koncert vokalo-instrumental të pranishmit ndoqën interpretimet nga Nina Muho (soprano), Aredion Lici (piano), Sokol Hidersha (bariton), Lira Paço (violinë) dhe Kris Sopiqoti (kompozitor/arranxhues) me disa nga punimet më të mira të realizuara prej kompozitorëve shqiptarë. Gjatë kësaj jave nuk ka munguar dhe shfaqja e filmave shqiptarë. Qendra Kinematografike e Kosovës në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare shfaqi filmin “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, me regji nga Fatmir Koçi, në kinemanë “Agimi” në Tiranë.