Filmi i animuar “Legjenda e Argjiros” është bazuar në motivet e poemës “Princesha Argjiro” të shkrimtarit Ismail Kadare. Filmi i animuar me skenar dhe regji nga Eliona Thomaraj u shfaq premierë në Tiranë dhe finalizoi punën e një grupi artistësh. Regjisorja Thoramaj shprehet se filmi merr përsipër të shpëtojë legjendën shqiptare. “Finalizoj një punë kolosale, një përkushtim të një grupi të madh artistësh që realizuan në teknikën rrotoskop filmin e dytë shqiptar që merr përsipër të shpëtoj legjendën shqiptare, duke e digjitalizuar në film të animuar për t’i ardhur më pranë çdo familje shqiptare kudo që ndodhet. Tek filmi “Legjenda e Argjiros” unë sjell tek publiku pjesë nga jeta arbërore përpara pushtimit osman. Veshjet tona, statusin e fisit Zenebishi, përkatësinë fetare dhe arsyen se si dhe pse u pushtua kalaja e papushtueshme e Argyrokastrës”, shprehet regjisorja. Me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ky është filmi i dytë i regjisores Eliona Thomaraj pas atij me titull “Legjenda e vendit t’shenjtë”. Duke folur për filmin, regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se legjenda është tregues i një populli me traditë të fortë autenticiteti. “Kjo legjendë ka ardhur tek ne që nga koha arbërore, kohë e cila ndriçohet fare pak ose aspak përpara periudhës së Skënderbeut. Unë po hedh dritë mbi histori, fakte dhe ngjarje të cilat nuk na i mësojnë nëpër shkolla. Sikundër filmit të parë, “Legjenda e vendit t’shenjtë”, ku hedh dritë mbi historitë Ilire, festat e Redonit, si organizohej jeta në Sebaste të Laçit, kush ishte prijësi dhe kujt besimi i përkiste populli Ilir, deri në atë arbërore, ku për herë të parë vendosen tek ne priftërinjtë Benedikt dhe ndërtojnë kishën e ShnaNdojt me vullnetin e Zotit”, shprehet regjisorja Thomaraj.
Zhanri i filmit të animuar
Premiera e filmit të animuar “Legjenda e Argjiros” tek “Shtëpia Muze Kadare” u ndoq me interes nga të pranishmit mbrëmjen e 14 nëntorit. Regjisorja Eliona Thomaraj që dhe më parë ka folur për punën e saj me filmin e animuar thotë se është një zhanër i domosdoshëm për fëmijët. “Por unë sikundër e kam etiketuar filmin tim në targetin e filmave familjar, pasi siç edhe e theksova unë gjithmonë bazohem mbi histori të vërteta pastaj i gërshetoj edhe elementin fantazmagorik siç është legjenda në vetvete, duke ruajtur kështu edhe gojëdhënat, por duke e lartësuar në rrafshin historik”, shprehet regjisorja. Sipas Thomarajt dëshira për të rrëfyer buron nga tradita, dëshira për t’i përcjell edhe më të plota me detaje e fakte historike vjen si nevojë e brendshme e artistit, që kërkon me doemos ta plotësoi filmin me elementët e domosdoshëm për të qenë i përfunduar. Piktor dhe skenograf Bledar Gercaliu; karakteret në film: Alvas Papandili, Simone Farigu; muzika Elona Islamaj, Nertan Molla.