Filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji nga Dhimitër Anagnosti u shfaq i restauruar 47 vite pas realizmit të tij. Kjo premierë nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bashkoi në kinema artistët, që realizuan filmin 47 vjet më parë. Në premierë në kinema Millennium të pranishëm ishin dhe Timo Flloko, Krenar Arfi, Agron Domi, etj. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një prodhim i vitit 1976 me regjisor Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Filmi u përcoll mes emocioneve në kinema, ku gjendeshin dhe Roza dhe Dhimitër Anagnosti ulur në radhët e spektatorëve, drejtoresha e AQSHF, etj. Ngjarja në filmin “Lulëkuqet mbi mure” zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzika e filmit është nga Kujtim Laro. Sipas një materiali nga AQSHF, më 9 janar 1977 u mbajt në Tiranë premiera e filmit “Lulëkuqet mbi mure”, ndërsa ka publikuar në faqen e tij dhe foto unike të premierës nga fototeka. Po atë vit, filmi u shfaq në Festivalin e II të Filmit Artistik, të mbajtur në Tiranë nga 16 deri 23 prill 1977, ku u nderua edhe me Kupën e Festivalit si “Filmi më i Mirë”. Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Pavlina Mani, Alfred Kote, Liza Laska, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Enver Dauti, Enea Zhegu, etj, janë disa prej aktorëve në role. Regjisori Dhimitër Anagnosti “Nderi i Kombit” është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë, filma dokumentarë dhe është autor skenarësh. Filmi u restaurua në studion Dabimus srl në Bari, me mbështetjen financiare të projektit “Sezoni i Filmave Klasikë” 2023 të ACE – Association des Cinémathèques Européennes i programit Creative Europe Desk – MEDIA. Premiera e filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” vjen në vijim dhe të tjerë prodhimeve që janë shfaqur më parë nga Arkivi i Filmit.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë