Menjëherë pas vdekjes së Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George Washington, gruaja e tij Marta, fton në shtëpinë e saj, ish dashnoren e burrit. Një përballje e fortë, plot emocion, ku dy rivalet për herë të parë zbulojnë fakte dhe ngjarje të reja, që do ti ndryshojë ato rrënjësisht…
Premiera teatrore “Dashuritë e presidentit” vjen në skenë si një përballje e fortë, plot emocion, ku dy rivalet zbulojnë fakte dhe ngjarje të reja. Regjisori Andi Begolli sjell këtë sezon artistik veprën e autorit Miro Gravran, ku aktorja e njohur Luiza Xhuvani vjen në skenë me rolin e Marta Uashington. Menjëherë pas vdekjes së Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George Washington, gruaja e tij Marta, fton në shtëpinë e saj, ish dashnoren e burrit. Një përballje e fortë, plot emocion, ku dy rivalet për herë të parë zbulojnë fakte dhe ngjarje të reja, që do ti ndryshojë ato rrënjësisht. Shfaqja teatrore shënon premierën mbrëmjen e së enjtes në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”, ku në rolin e Silvias vjen aktorja Kristjana Dodaj, për të vijuar dhe me artistët e tjerë Kevin Rrapaj dhe Greta Baci në role. Regjisori Andi Begolli thotë se vepra teatrore flet për marrëdhënien që ka pasur Marta me Xhorxh Uashington, ku e gjithë ngjarja që ndodh është për shkak të keqkuptimeve ose moskomunikimit mes një çifti, që nuk janë kuptuar me njëri- tjetrin. “Ndër të tjera janë shumë tema të ndryshme, ku flitet dhe për xhelozinë, dashurinë, trysninë që bën shoqëria që jetojmë për të tjerët, por është dhe një marrëdhënie e bukur. Aty janë shumë të vërteta. Më duket se shumë njerëz aty kanë për t’a parë veten”, thotë regjisori Andi Begolli.
Temat që trajton vepra
Në aktivitetin e tij artistik me teatrin si regjisor Andi Begolli ka sjellë dhe të tjera vepra teatrore për publikun. Por këtë herë ka zgjedhur të vijë me premierën “Dashuritë e presidentit”. Ngjarjet në vepër zhvillohen në vitin 1800. Por si regjisor Begolli tregon se në gjetjet e tij regjisoriale ka luajtur pak me atë që ai quan dhe pjesa e magjisë. “Historia ndodh në muzeun e Xhorxh Uashingtonit. Një çift turistësh shkon për të parë muzeun dhe aty ndodh diçka, një lloj magjie dhe futen turistët e shohin historinë me dy rivalet. Por dhe ky çift turistësh ka deri diku të njëjtin problem që ka pasur Marta me Xhorxh Uashington. Autori i veprës personazhet historikë i ka marrë dhe i ka bërë vepra për të trajtuar tema shumë të forta dhe për t’i thënë njerëzve, që dhe këta kanë të njëjtat probleme si ne”, tregon Begolli. Shfaqja që vjen në skenë 11-15 prill është një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe qendra për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”. Mjeshtëri plastike Robert Nuha, as. regjisor Kevin Rrapaj, skenografia Desantila Lika, kostumografia Altin Lala. Përktheu veprën dhe përshtati Blerina Lilaj. Miro Gavran (Trnava e Epërme, 1961 ) është dramaturg, novelist, shkrimtar për fëmijë kroat dhe anëtar i Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve. Veprat e tij janë përkthyer në 25 gjuhë. Librat e tij kanë pasur më shumë se 150 botime në vend dhe jashtë vendit. Dramat e tij dhe komeditë janë shfaqur premierë në teatër, në më shumë se 250 vende të botës.