“Ditari i një kinoregjisori” është libri i përgatitur për botim nga Ilir Keko, ku përmblidhen kujtimet e atit të tij, kineastit Endri Keko “Nderi i Kombit”, sjellë me rastin e 100-vjetorit të tij të lindjes. “Ditari i një kinoregjisori” u promovua në Akademinë e Shkencave me pjesëmarrjen e studiuesve të arteve, akademikëve, regjisorëve, skenaristëve, aktorëve dhe më gjerë, ku të pranishëm ishin dhe trashëgimtarë e përfaqësues të familjes Keko. Shënime e dëshmi të vyera nga jeta e tij të ilustruara me foto, studimet në Moskë dhe xhirimi i dokumentarëve e kinokronikave në Kinostudio, përbëjnë një material studimi të gjerë e me vlerë, mbi fillimet e kinematografisë në Shqipëri dhe zhvillimin e saj, deri në vitet ’80-të, por edhe mbi familjen Keko, një familje artistësh e cila dha shumë për filmin dhe artin shqiptar. Veprimtaria kushtuar kinastit të shquar u moderua nga Marinela Ndria, drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku u shfaq për të pranishmit një material video me çaste dokumentare të xhiruara nga Endri Keko. Në këtë promovim të librit u mbajtën dhe kumtesa nga Piro Milkani, Ylli Pepo, Mevlan Shanaj, Genc Përmeti, Ben Andoni, Aleksandër Çipa, Shaban Sinani, etj. Drejtoresha e Arkivit të Filmit Marinela Ndria tha se ka shumë emocione brenda rreshtave të librit. “Endri Keko shpjegon kaq bukur emocionet e tij kur ishte në nisjen e tij si regjisor. Trashëgimia e Endri Kekos është shumë e rëndësishme. Ai ka lënë një trashëgimi të vyer në fondet arkivore”, tha ajo ndër të tjera gjatë promovimit. Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave përshëndeti akad. asoc. Gëzim Hoxha. “Me trashëgiminë e tij ai krijoi një shkollë vendëse të kinemasë dokumentare dhe artistike”, tha ndër të tjera akad. asoc. Gëzim Hoxha.
Historia e Shqipërisë përmes imazhit
Regjisori Piro Milkani tha se ishte i befasuar nga volumi me kujtimet e kineastit Endri Keko. “Do të ketë kujtime me shumë vlerë në këtë libër që ai e ka shkruar për vite të tëra”, tha ai. Milkani gjithashtu vlerësoi veçmas anët njerëzore të Endri Kekos, mbështetjen dhe mbrojtjen e punës së kolegëve, solidaritetin dhe miqësinë. “Ishte i mirëkuptueshëm, ishte bashkëpunëtor i mirë dhe veç të tjerash në postin e tij si sekretar partie pas vitit 1973 kur situata në Shqipëri ishte shumë delikate në fushën e artit dhe kulturës Endri na ka mbajtur shumë mirë, dhe siç është në libër që thotë Ramiz Alia: e ke marrë vesh që duan të degdisin Piro Milkanin Ministria e Kulturës, por Endri i thotë: Piro është goxha punëtor dhe i talentuar dhe do kemi humbje të madhe. Pra ai ndikoi te Ramiz Alia, sepse unë do kisha përfunduar në ndonjë vepër industriale për riedukim edhe pastaj në burg. Endri ka qenë shumë pozitiv që i ka përkrahur njerëzit e artit dhe kulturës. Kineastët i ka mbrojtur, ka mbrojtur dhe Mit’hat Fagun në momente të vështira”, kujton Milkani. Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj theksoi se dokumentari ka qenë bashkëshoqërues i pashmangshëm i kinemasë, pasi çdo shfaqje filmi hapej me kinoditarët, reportazhet, kështu që të gjithë jemi takuar rregullisht me punën krijuese të Endri Kekos dhe e kemi shijuar e vlerësuar. Mevlan Shanaj tha se Endri Keko ishte historiani që bëri historinë e vendit përmes imazhit. “Nga vepra e tij filmike kronikale dhe dokumentareske mund të themi se Endri Keko, është historiani që bëri historinë e Shqipërisë përmes imazhit! Historia e shkruar është shumë e zvogëluar krahasuar me historinë të fiksuar në ekran! Kinemaja është fotografi e gjallë në lëvizje”, tha Shanaj.
Një krijimtari me vlerë të madhe
Për regjisorin Ylli Pepo krijimtaria e Endri Kekos është një thesar me shumë vlera. “Endri Keko ka qenë një nga kineastët më të shquar të Shqipërisë. Krijimtaria e tij është një thesar që i ka vlerat shumë më të mëdha jo vetëm për kohën kur i ka bërë, por ka vlera shumë më të mëdha për kohën që vjen”, tha Pepo. Por sa i takon botimit “Ditari i një kinoregjsori”, Pepo u ndal dhe te vlerat që përcjell te lexuesit. “Botimi është shumë cilësor në të gjitha kuptimet. Endri Keko nuk ishte thjesht një kineast, ai ishte një historian që shkruante me kamera dhe një njeri që jetoi me problemet e kohës të para ato në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më të saktë”, tha Pepo. Genc Përmeti, në fjalën e tij, paraqiti në mënyrë të krahasuar vlerat estetike të dokumentarëve të Endri Kekos me vepra të dokumentaristëve të mirënjohur të realizuar në studio perëndimore, duke veçuar faktin që realizmi i veprave të kineastit tonë është i padiskutueshëm. Për krijimtarinë e Endri Kekos u shpreh dhe prof. Abaz Hoxha, dhe në emër të familjes falënderoi Ilir Keko, përgatitës i botimit.
Puna për librin
Ilir Keko i biri i kineastit tregon për librin “Ditari i një kinoregjisori” se është shkruar në mbi 50 vite jetë nga Endri Keko. Ilir Keko shprehet se ai thjesht ka bërë seleksionimin e qindra faqeve me shënime që gjenden në arkivin e familjes për t’i sjellë në formën e një libri. “Kur im atë, Endri, nisi botimin e tyre në revistat “Tribuna e gazetarit”, “Skena dhe Ekrani” e “Nëntori”, ai dëshironte të botonte në formën e kujtimeve shënimet e mbajtura në prej filmave që ka realizuar në vite por, sëmundja dhe ikja nga jeta në prill të vitit 1989 ja pamundësoi vazhdimin e botimit. Nga ai çast, unë e mbajta si amanet të tim eti botimin e tyre. Por…këtu më duhet të hap një parantezë. Shumë herë gjatë këtyre 35 viteve kam menduar t’i botoj shënimet për filmat e realizuar prej tij e jo vetëm ato të filmave po dhe në raste përvjetorësh të kinematografisë, festivaleve të filmit, apo ngjarjeve në lidhje me kinemanë shqiptare. Në fakt, nuk munda t’i botoj, për arsye objektive e subjektive. Njëherë mendoja nuk është momenti, pastaj kur mendoja se është momenti më duhej të merresha me projekte të tjera filmike dhe botimi. Kështu kaluan 35 vite. Megjithatë, projekti “Ditari i një kinoregjisori” mbeti gjithnjë në tavolinën time të punës në pritje që unë të zgjasja dorën. Dhe, dita erdhi. Në kuadër të 100 -vjetorit të lindjes së tim eti, kinoregjisorit Endri Keko, vendosa ta përgatis e botoj këtë libër kaq shumë të dashur, si për tim atë ashtu dhe për mua”, shprehet Ilir Keko. Por Ilir Keko tregon se në këtë moment i duhej ta rikonceptonte librin, pasi kishin kaluar shumë vite e shumë nga bashkëpunëtorët e tij nuk jetonin më. “Pikërisht për arsye si dhe faktit që tani libri do të binte në dorë të lexuesve që i takonin një brezi tjetër, unë u detyrova të rihap dosjet. “Ditari i një kinoregjisori” nuk mund të ishte thjesht dhe vetëm ditar i shënimeve të mbajtura gjatë krijimtarisë artistike. Ai kishte nevojë edhe për informacion nga jeta personale dhe familjare e regjisorit Endri Keko. Kështu që, përfundimisht, botimi që u prezantua nuk është një ditar klasik, por një botim i plotë ndërtuar mbi shënime e kujtime dhe shoqëruar me foto e faximile. Shpresoj të kem gjetur formën më të mirë për ta prezantuar tek lexuesit e rinj regjisorin Endri Keko në 100- vjetorin e lindjes”, thotë Ilir Keko. Regjisori Endri Keko është një figurë e shquar në historinë e kinematografisë shqiptare. Ai shquhet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në krijimin e filmit dokumentar në Shqipëri. Regjisori Endri Keko prodhoi dhe drejtoi një gamë të gjerë të filmave, duke përfshirë dokumentarë, kronika, kinozhurnale dhe filma artistikë. Veprat e tij shquhen për thellësinë e tyre, përballjen me realitetin shoqëror dhe historik të kohës së tyre, si dhe për cilësinë artistike të tyre. Endri Keko lindi më 31 mars 1924 dhe u nda nga jeta më 8 prill 1989.