Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nisi në vitin 2000, duke sjellë në skenën antike shfaqje të ndryshme realizuar nga regjisorë të njohur dhe me aktorë shqiptarë dhe të huaj, por nuk kanë munguar dhe vështirësitë për realizimin e tij ndër vite. Në veprimtarinë ““Shkolla” teatrore e Butrintit” drejtori artistik i festivalit aktori Alfred Bualoti foli për pasurinë e çmuar artistike dhe didaktike, që ka sjellë festivali teatror “Butrinti 2000” në vendin tonë. Në veprimtarinë që u organizua nga Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave me moderimin e dr. Anxhela Çikopanos, studiuese e teatrit, drejtori Bualoti tha ndër të tjera se nuk ishte e lehtë skena e teatrit të Butrintit për çdo shfaqje. “Kjo bëri që kriteri i përzgjedhjes të ishte sfidues për trupat më të mira në nivel rajonal e ndërkombëtar”, u shpreh ai. Bualoti rrëfeu rrugëtimin e këtij festivali që nisi nga një aplikim në projektet e Ministrisë së Kulturës prej një shoqate të skenës dhe ekranit të ngritur në ‘98-n për zhvillimin e një festivali në Gjirokastër. Ai kujtoi se teatri antik i Butrintit në atë kohë ishte i mbuluar nga uji dhe ferrat. Ishte ideja e tij që ta rikthente teatrin antik në skenën e një festivali teatror, e cila u realizua kur ministër Kulture ishte kryeministri aktual i Shqipërisë, z, Edi Rama, i cili menjëherë sipas tij e mbështeti projektin. “Kontaktuam shumë trupa perëndimore. Festivali arriti të ndiqej nga spektatorët dhe qindra artistë të huaj kanë ardhur në Butrint”, tha drejtori i festivalit Bualoti, i cili shprehu edhe keqardhjen për mungesën e mbështetjes së këtij festivali gjatë viteve të fundit.
Trupat teatrore në festival
Festivali sipas drejtorit Alfred Bualoti i ka shërbyer jo vetëm imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, por edhe zonës së Butrintit. “Tani Saranda është e mbushur plot me të huaj, dhe kur i shoh ndjej keqardhje të thellë që nuk mund tua servirim këtë vlerë kulturore turistëve”, tha Bualoti. Drejtori Bualoti theksoi se edicionet më të mira të festivalit për nga vlerat e gjithanshme krijuan një jehonë të jashtëzakonshme në qarqet e kulturës europiane. Ai kujtoi se në festivalin “Butrint 2000” kanë marrë pjesë trupa teatrore nga Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Kina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. Përveç pjesëmarrjes së trupave më të mira shqiptare në këtë festival, Bualoti rrëfeu se si festivali i kaloi kufijtë rajonalë të pjesëmarrjes, ndërsa kujtoi mes të tjerave edicionin e 15-të të festivalit “Butrint 2000”, ku për herë të parë në Shqipëri erdhën aktorët e Teatrit Kombëtar të Pekinit me shfaqjen “Richard III”, që la gjurmë në këtë festival. Bualoti përmendi edhe pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë me veprat “Variacione me motive nga këngëtarja tullace” me koncept e koreografi të Gjergj Prevazit; trupën shkodrane me “Kanarina blu” të Stefan Çapalikut apo përvoja të tjera të sjella nga trupat e huaja si “Ëndrra e një nate vere” me regji të Michalis Sionas nga Teatri “Thesis” i Athinës apo trupa franceze që vinte nga teatri Komedi De Valence i Lionit, si dhe të tjera vepra.