“Tartufi” në skenën teatrore godet veset negative të kohës sonë. Vepra e Molierit me regji nga Qëndrim Rijani një produksion i Teatrit të Gjilanit në Kosovë mbrëmjen e datës 26 prill do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Në aktivitetin tij teatror, regjisori Qëndrim Rijani ka sjellë në skenat tona vepra të ndryshme teatrore, por këtë herë ai sjell “Tartufin”. Regjisori Rijani tregon se për këtë shfaqje që do të jetë në Tiranë është një trupë teatrore e mirëpërgatitur. ““Tartufi” një nga dhjetë veprat më të vëna në botë. Me një ridimensionim kohor do të jetë shfaqja, të cilën bashkarisht me një trupë të mirë-përgatitur e kemi bërë gati, që ju të keni mundësi ta shihni si premierë në Tiranë”, thotë regjisori Rijani. Vepra e autorit Jean Baptiste Poquelin- Moliere do të interpretohet në skenë nga një kastë e njohur aktorësh të teatrit. Por sipas regjisorit Qëndrim Rijani shfaqjen teatrore “Tartufi” e kanë veshur me situatat e kohës që jetojmë. “Vepra e Molierit, duke argëtuar publikun godet në të njejtën kohë çdo ves ose shfaqje negative të kohës sonë në radhë të parë dhe pastaj të njeriut në përgjithësi. Molieri në një farë mase i përzien zhanret. Ai nuk e ndan në mënyrë të prerë tragjiken nga komikja. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe ne në rikonceptimin e kësaj vepre. Pavarësisht se e kemi zhveshur veprën nga dimensionet e kornizuara të kohës që është shkruar, të njëjtën e kemi veshur me situatat e kohës, në të cilën po e vëmë në skenë”, thotë regjisori Rijani.
Aktorët në skenë
Vepra “Tartufi” me tekst të Molierit të famshëm përherë është aktuale. Vepra e Molierit është vënë në skena të ndryshme të botës, por mirëpritet nga publiku për mesazhet që ajo përcjell. “Tartufi” është interpretuar për herë të parë në vitin 1664. Personazhet kryesore janë Tartufi, Elmira dhe Orgoni. Regjisori Qëndrim Rijani flet dhe për temën kryesore të “Tartufit” dhe konceptin e tij regjisorial për ta sjellë në skenë. “Hipokrizia një lloj “vesi” që shoqëron njerëzimin që nga Molla e Adamit, përkatësisht e Evës apo që nga “besimi” mes Kainit dhe Abelit është tema kryesore e “Tartufit”. Një lloj mishërimi i teatrit të Molierit me teatrin e Brehtit ka qenë bazë për ndërtimin e një koncepti regjisorial mbi këtë vepër madhështore”, thotë regjisori i njohur Qëndrim Rijani. Aktorë në role janë Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Florent Salihu. Skenograf Bekim Korça, kostumografe Yllka Brada, kompozitor Trimor Dhomi, ass regjie: Fitore Jashari. Krijimtaria e Molierit është e gjerë, por po të përmendim disa nga veprat më të njohura janë “Tartufi”, “Mizantropi” , “Kopraci”, “Don zhuani”, “Borgjezi fisnik”, etj. Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve.