Punimet restauruese në godinën historike të Teatrit të Kukullave, ish- Parlamenti i parë shqiptar janë drejt përfundimit. Teatri i Kukullave, ky monument i rëndësishëm kulturor dhe historik, është një nga objektet e përzgjedhur që po restaurohet nga programi “EU4Culture”. Ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi punimet që po kryhen në këtë godinë historike dhe shprehet se i është nënshtruar një operacioni delikat, që të ruhen vlerat arkitekturore dhe historike. “Po shkon drejt përmbylljes puna për restaurimin e godinës historike të Teatrit të Kukullave, ish-Parlamenti i parë shqiptar. Falë programit “EU4Culture”, që po zbatohet nga UNOPS, godina i është nënshtruar një “operacioni” delikat, që të mund të mbeten të pacënuara vlerat arkitekturore dhe historike”, shprehet ministrja e Kulturës në rrjete sociale, ku ka ndarë dhe disa foto të punimeve restauruese në këtë godinë.
Në strukturën ekzistuese të Teatrit të Kukullave në Tiranë ka përfunduar përforcimi i themeleve të godinës, përforcimi i kolonave dhe mureve të brendshme dhe rindërtimi i çative me strukturë të re me binarë druri. Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjithashtu bën me dije se janë evidentuar dhe shtrimet e vjetar të dyshemesë në këtë godinë. “Ka filluar restaurimi i fasadës duke kryer analizat e ngjyrave të përdorura gjatë viteve, për t’i dhënë objektit pamjen origjinale. Janë zbuluar dhe evidentuar shtrimet e vjetra të dyshemesë, të cilat do të restaurohen në përfundim të punimeve ndërtimore”, pohon ministrja e Kulturës.
Restaurimi nisi në 2022
Godina iu nënshtrua procesit të restaurimit në vitin 2022. Por ministrja e Margariti shprehet se vitin që vjen kryeqyteti do të ketë një qendër të re kulturore. “Në pjesën e pasme të teatrit ka përfunduar ndërtimi i skenës së re me lartësi 11m. Kanë filluar punimet e muraturës së tullës, instalimet mekanike, elektrike dhe ndërtimi i tavanëve te varur. Pas përmbylljes së punimeve do të vijohet me mobilimin dhe vitin që vjen Tirana do të ketë një qendër të re kulturore në zemër të saj”, thuhet nga ministrja e Kulturës. E ndërtuar në vitin 1924 për të shërbyer fillimisht si Shtëpia e Oficerëve dhe më pas si Parlamenti i parë i Shqipërisë, që prej vitit 1960, godina u kthye në Teatër Kombëtar të Kukullave, një qendër kulturore për fëmijë e ngulitur thellë në kujtesën e disa brezave. Ndërtesa vuante nga një mungesë serioze e riparimeve dhe mirëmbajtjes; tërmeti i vitit 2019 shkaktoi dëme të dukshme strukturore.
Ndërhyrjet e propozuara për rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Kukullave, në lidhje me projektin “EU4Culture” më parë u bë me dije që përfshinin kategori të ndryshme si riparim i plotë strukturor, ruajtja e fasadës historike, restaurimi dhe përmirësimi i ambienteve të brendshme duke përfshirë sallën e publikut, skenën, mobiliet, ekspozitat muzeale, njësitë teknike, të shërbimeve dhe administratës, përmirësimi i mekanizmave të skenës dhe i vetë skenës për të pritur lloje të shumta të shfaqjeve teatrale, etj