“Kur nuk shkojnë në stadium” vepra e piktorit të shquar Guri Madhi e vitit 1986 do të ekspozohet krahas veprave të autorëve botërorë. Piktori shqiptar Guri Madhi me pikturën e tij do të jetë mes 100 më të mirëve në ekspozitën në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund. Trendi modern i viteve të fundit janë dhe ekspozitat digjitale dhe e tillë është dhe kjo që do të hapet në Dortmund për publikun. Vepra e Guri Madhit do të ekspozohet krahas Picassos, Salvador Dalisë, Joan Miro, Rene Magritte, Paul Klee, Bansky, Alexander Deyneka, etj. Pandi Madhi i biri i piktorit e konsideron këtë si një arritje edhe për artin shqiptar. “Ky prezantim është një arrije për autorin, por është edhe arritje për artin shqiptar. Shqipëria përfaqësohet në këtë ekspozitë nga Guri Madhi. Por kjo përzgjedhje e Guri Madhit është bërë që në janar të vitit 2023. Fat i mirë që dhe Kombëtarja e Futbollit është në Kampionatin Europian. Një dorë e padukshme i bashkoi që të jenë aty dhe të përfaqësojnë Shqipërinë, pasi dhe ekspozita është e UEFA-s në Gjermani për Kampionatin Europian”, tregon Pandi Madhi. Në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund, në një sipërfaqe prej 1000 metra katrorë do të ekspozohen 175 vepra arti me temë futbollin, të 100 autorëve, ndërmjet të cilave është përzgjedhur dhe vepra e vitit 1986 “Kur nuk shkojnë në stadium” (në anglisht “Watching Football Game”) e piktorit shqiptar Guri Madhi (1921-1988). Ceremonia e hapjes së ekspozitës “In motion- art & football” do të jetë në 27 maj dhe do të jetë për publikun deri më 6 janar 2025. Në faqet 224 dhe 225 të katalogut të kësaj ekspozite, me titullin “In motion” dhe autor Manuel Neukirchner (drejtor i muzeut) prezantohet vepra e Guri Madhit që është pjesë e ekspozitës, e shoqëruar me analizën e saj dhe jetëshkrimin e artistit.
Rrugëtimi i veprës
Pandi Madhi i biri i piktorit tregon rrugëtimin se si vepra “Kur nuk shkojnë në stadium” që është pjesë e fondit të familjes u bë pjesë e kësaj ekspozite që prezanton artistin e shquar Guri Madhi mes 100 më të mirëve. Sipas tij kjo vepër që është realizuar në vitin 1986, dimensionet e saj janë 86 cm x 123 cm në ngjyra vaji mbi fajazit. Arsyeja e pikturimit në fajazit sipas tij, lidhet me faktin se ato vite kishte mungesa të mëdha në materialet për të pikturuar. “Artistëve ju jepeshin ato në mënyrë të racionuar. Artistët (dhe Guri Madhi) mund të merrnin deri në 2 m kanavacë në vit. Prandaj dhe artistët piktorë detyroheshin të gjenin alternative materialesh të tjera për të punuar. Në qershor 1987, piktori Guri Madhi hapi një ekspozitë personale në Pallatin e Kulturës në Tiranë, me vepra të realizuara në vitet 1983-1987. Ekspozita u hap pasi kaloi shumë filtra komisionesh, për arsye se u gjykua që këto vepra nuk kishin lidhje me realizmin socialist. Paraprakisht Komisioni Shtetëror hoqi nga ekspozimi disa nga veprat që piktori kish paraqitur. Këtë fat pësoi dhe “Kur nuk shkojnë në stadium”, që u konsiderua si letrareske. Në 13 qershor 1988, Guri Madhi u largua në mënyrë të papritur nga jeta. Planet e tij ishin për të hapur një ekspozitë personale në qytetin e lindjes, pikërisht në Galerinë e Korçës”, tregon ai. Por dëshira e tij u realizua nga vëllezërit dhe djemtë e tij. I biri i piktorit Pandi Madhi tregon se në 30 shtator 1988 ekspozita u hap në galerinë e qytetit të Korçës. “Nuk pati asnjë filtër komisionesh. Të gjithë veprat që u çuan nga Tirana në Korçë, u ekspozuan. Këtu u ekspozua për herë të parë “Kur nuk shkojmë në stadium”, ashtu si dhe piktura abstrakte që është quajtur “Shqetësimi i piktorit” e realizuar në maj të vitit 1988. Ekspozimi i dytë i “Kur nuk shkojnë në stadium” u bë në një ekspozitë për artin shqiptar në tetor 2018 në rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë, me kurator artistin Artan Shabani. Në korrik të vitit 2020 në Pera Museum të Stambollit u hap ekspozita me titull “Constructing a dream”, me kurator po artistin Artan Shabani. Ekspozita u vizitua përgjatë 5 muajve nga 55 mijë vizitorë (pavarësisht Covid-19) . Kjo ishte hera e tretë e ekspozimit të saj”, tregon Pandi Madhi i biri i piktorit, ku pikërisht nga ekspozimi në muzeun Pera nisën dhe komunikimet për ta prezantuar në Dortmund. Piktori Guri Madhi (Korçë, 15 maj 1921 – Budapest, qershor 1988) ishte një ndër themeluesit e Universitetit të Arteve. Me mbi 400 vepra në 33 vjet krijimtari Guri Madhi “Piktor i Popullit” ishte një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë.