Projektligji për trajtimin financiar të punonjësve, që kanë punuar në institucionet publike të artit dhe kulturës sipas tenorit Rudi Sata quhet asistencë. Në intervistën për gazetën “SOT” tenori Rudi Sata shprehet se i kërkon Ministrisë së Kulturës të dijë se kush e ka hartuar këtë projektligj. Sipas tij ky projektligj tashmë është shpërndarë nëpër institucionet e artit dhe kulturës në vend, por shtron pyetjen nëse ministria ka bërë një studim të detajuar, ku të tregohet qartësisht sa është përqindja e artistëve që përfitojnë këtë trajtim financiar dhe fatura financiare për shtetin. Për tenorin ky projektligj nuk është “pension pleqërie”, por quhet asistencë ose nëqoftëse mund të quhet një lloj pensioni suplementar. Tenori Rudi Sata thotë se ky projektligj duhet që të mos miratohet, sepse në të kundërt do ketë pasoja sociale për artistin dhe për institucionet në vend. Ndërsa shpreh vërejtje për këtë projektligj, tenori Rudi Sata i kërkon Ministrisë së Kulturës, që të bëjë statusin e artistit në të cilin përfshihet edhe “pensioni i pleqërisë”.
-Ministria e Kulturës ka hartuar projektligjin për trajtimin financiar të punonjësve, që kanë punuar në institucionet publike të artit dhe kulturës, por që ka ngjalluar reagime. Ju pse e kundërshtoni?
Ky projektligj që është dhënë nëpër dikasteret e institucioneve të artit dhe kulturës, kryesisht nëpër institucionet e pushtetit qëndror që i bie Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Cirku Kombëtar, Teatri Kombëtar, etj, pyetja ime për Ministrinë e Kulturës është: kush e ka hartuar këtë projektligj dhe a ka pasur përfaqësues nga grupet e interesit? Deri tani nuk ka informacion. Është futur për tu trajtuar nëpër institucione dhe po aty është mbajtur. Ka mbetur si projektligj brenda zyrave. Gjëja e parë që më bëri përshtypje është: Si mund të hartohet një projektligj i pashoqëruar nga relacioni që është baza? Relacioni duhet të ishte i bashkëngjitur. Në momentin që ti dorëzon dhe shpërndan një projektligj i pashoqëruar me relacionin, unë bëj pyetjen: cila ishte ajo që ju detyroi juve për të bërë një projektligj të tillë? Cilat ishin pikat, që ju e patë të domosdoshme, që duhet të bëni projektligj?
-Pse ju keni shprehur se nga mënyra se si është hartuar projektligji ka brenda aprofesionalitet?
Në projektligj thotë trajtim financiar të punonjësve që kanë punuar në institucionet publike të artit dhe kulturës. Neni 3 thotë “Përfituesit”, ku sipas këtij ligji janë punonjësit që kanë punuar në institucionet publike të artit dhe kulturës dhe kanë ushtuar profesioniste: a) balerinë, b) akrobat, c) valltar, d) këngëtar, solist/soprano, e) instrumentistët frymorë. Por është një mungesë seriozitet dhe shikoj një aprofesionalitet të atyre që e kanë hartuar këtë. Pika d) thotë: këngëtar, solist/ soprano. Pse e përkufizon soprano? Duhet të jetë termi këngëtar lirik, ku hyn bariton, bass, tenor, soprano dhe mezzosoprano. Në momentin që ti e bën soprano, pjesa tjetër përjashtohen? Neni 4 “Kushtet e përfitimit”, thuhet se e përfitojnë ata që mbushin 50 vjeç. Aktualisht në pension ne dalim 60 e ca vjeç, por me këtë projektligj thuhet se përfitojnë këtë trajtim financiar kur mbushin 50 vjeç. Pika b) thotë kur këta kanë jo më pak se 20 vjet performancë në skenë dhe pika c) kanë një periudhë sigurimi jo më pak se 25 vjet. Thuhet në këtë nen mbushin moshën 50 vjeç? Si edhe burrat dhe gratë? Pra dhe balerinë meshkuj dhe femra, dhe këngëtarë lirik meshkuj dhe femra 50 vjeç. Një lëmsh që nuk merret vesh, pasi ka gjëra që duhen specifikuar. Mbi 20 vjet performancë në skenë kanë mbi 70 përqind e shumës totale të artistëve që performojnë në opera,balet orkestër e ansambël. Në bazë të kësaj i bie që të dalë 70 për qind e trupës me përfitim. Kush mbetet atje? Zhduket memoria artistike. Ky term për trajtim financiar të punonjësve nuk hyn në sigurimet shoqërore. Sigurimet ligji 7703 i ka të përcaktuar kategoritë, janë pension pleqërie, pension invaliditeti. Kjo nuk hyn as në termin pension i integruar. Pse bënë këtë ligj? Kjo nuk është përfitim financiar për pensionet, por është asistencë.
-Pse sipas jush nuk është përfitim financiar, por asistencë?
Këtë e tregon mirë neni 5 “Masat e përfitimit”. Pika 1 thotë: masa e trajtimit financiar për subjektet përfituese është e barabartë me 50 për qind të pagës neto për profesionet e përcaktuara në nenin 3, në momentin e plotësimit të kushteve të trajtimit financiar. Pra 50 për qind e pagës neto dhe kjo quhet asistencë dhe thotë deri sa të mbushësh moshën e pensionit. Pse të heqësh dikë nga puna ti japësh asistencë? Pse duhet me trajtim financiar që është asistencë dhe nuk e thonë? Unë nuk dua as këtë projektligj, as atë që thonë ligji i pensioneve. Unë dua statusin e artistit. Ky projektligj në bindjen time ngre shumë pikëpyetje, ka brenda shumë skepticizëm dhe shumë aprofesionalitet për nga mënyra se si është hartuar. Një nismë, e cila nuk gjendet në asnjë vend të BE-së! Le të lexojmë dhe analizojmë pak pikën 3, të nenit 8 “Financimi”. Aty është e shkruar qartësisht se përfituesi (artisti) ka detyrim që brenda një viti kalendarik të angazhohet (pa pagesë) për një periudhë kohe 90 ditë pune. Në të kundërt neni 5 parashikon ulje të përfitimit financiar! Po në cilin vend të botës ndodh kjo praktikë? Pra nëqoftëse ky projektligj do ishte një lloj pensioni për artistin atëherë si mund ta detyrosh një pensionist të punojë për institucionin pa lekë? Ky është qartësisht asistencë dhe jo pension pleqërie. A ka bërë Ministria e Kulturës një studim të detajuar ku të na tregohet qartësisht se : a) Sa është përqindja e artistëve që përfitojnë këtë trajtim financiar? b) Sa është fatura financiare për shtetin? c) A ka një preventiv të saktë? Shumë dyshues dhe i paqartë është dhe neni 10 “Kërkesa për përfitim”, ku sipas këtij neni duket sikur ky përfitim financiar vjen me “dëshirë” nga vetë artisti? Po kush është ai artist që do të përfitojë këtë lloj trajtimi financiar me këto kushte? Por edhe sikur të jetë me “dëshirë”, a ka parashikuar kjo ministri se sa për qind e artistëve e duan këtë trajtim? Jam i bindur që do jetë as 0.001 për qind e tyre. Dhe për këtë përqindje kaq të vogël u dashka të bëhet një projektligj dhe të vihen në lëvizje gjithë institucionet e shtetit? Apeli im ndaj ministrisë është: Hiqni dorë nga këto lloj makinacionesh dhe bëni statusin e artistit në të cilin përfshihet edhe “pensioni i pleqërisë”. Një pension dinjitoz me të gjitha kriteret dhe standardet siç e ka bota. Ky projektligj nuk është “pension pleqërie”, por quhet asistencë ose nëqoftëse mund ta quaj një lloj pensioni suplementar! Uroj që ky projektligj mos të miratohet në parlament, sepse në të kundërt do ketë pasoja të mëdha sociale për artistin dhe për institucionet, sepse do zhduket memoria artistike institucionale dhe shpopullim i artistëve.
-Pak ditë më parë ministrja e Kulturës u shpreh në rrjete sociale se buxheti i vitit 2024 pritet të jetë 14 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2023. Sipas saj, rritja e buxhetit është më e madhe në zërin e pagave me +29 për qind krahasuar me 2023, ndërsa investimet 30 për qind më shumë. Ju shpreheni probleme, por si pjesë e komunitetit artistik çfarë mund të na thoni për këtë?
Më vjen mirë për këtë vlerësim që i ka bërë trupave artistike dhe institucioneve. Për gjërat që janë të mira e përgëzoj për këtë vullnet për rritjen e pagave dhe buxhetin e institucioneve.
Intervistoi: Julia Vrapi