“Ikja” vjen në skenë si produksion teatror i “Fondit të teatrit për të rinj”. Shfaqja do të jetë për pesë net në skenën teatrore për publikun këtë nëntor. Regjisori Rafael Hoxhaj është ai që sjell shfaqjen “Ikja”, që do të jetë mbrëmjet e datave 22, 23, 24, 28 dhe 29 nëntor në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Sipas materialit shpjegues mbi “Ikjen” të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shfaqja është një eksperiment, me elemente nga disa zhanre teatrore si: teatri post modern, teatri politik, kontemporan, performanca dhe pantomima, herë- herë edhe dialogu absurd. Në veprën e autorit Bujar Hoxhaj, një i ri pa identitet, pa kombësi, i quajtur qëllimisht Filan Fisteku, për të mos e identifikuar me asnjë, por kushdo që e ndjen të identifikohet me atë, i shtyrë nga faktorë të shumëllojshëm si: ikja e moshatarëve, indiferenca politike karshi të ardhmes dhe pasigurisë psikologjike vendos të ikë, ta lërë vendin. Vjen si një rrëfim nga qielli dhe gjithashtu si një përjetim dhe akt momental. “Vë në pikëpyetje dilema dhe trajton ikjen si fenomen jo veç të njëkuptimtë por shumë planësh: Ikja nga përgjegjësitë dhe detyrimet si qytetar i një vendi relativisht në zhvillim e sipër. Ikja nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Ikja e pakthyeshme, ajo e madhja, ikja nga kjo botë. -Pra a është “Ikja” zgjidhje? Apo, nuk kemi zgjidhje tjetër veç “Ikjes”!”, thuhet rreth shfaqjes në materialin e teatrit, ku kompozitor është Rafael Morinaj. Në skena të ndryshme teatrore janë vënë në skenë dhe të tjera shfaqje më parë që janë realizuar përmes fondit nga Ministria e Kulturës. Projektet teatrore përfituese nga “Fond i teatrit për të rinj 2023” nga Ministria e Kulturës realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental në bashkëpunim me teatrot e rretheve, ku këtë mbrëmje në skenën e teatrit “Migjeni” do të jetë “Ikja”, që do të vijojë dhe net të tjera për publikun.
Buxheti për projektet teatrore
Dhjetë projekte janë fituese në “Fondin e teatrit për të rinj 2023”. Fondi me një buxhet 10 milionë lekë të reja u nda për projektet që zhvillohen në skenën teatrore gjatë këtij viti. Buxheti nga Ministria e Kulturës edhe këtë vit është në të njëjtën vlerë sa në vitin 2022, 10 milionë lekë të reja. Më herët në thirrjen për aplikime në Teatrin Eksperimental thuhej se përmes “Fondit të teatrit për të rinj” synohet dhe gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi. “Përmes “Fondit të teatrit për të rinj, në vitin 2023”, me një shumë prej 10,000,000 lekë synohet: nxitja dhe aktivizimi i krijuesve dhe interpretuesve të rinj; risjellja në një formë të re e festivalit të të rinjve; gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi; krijimi i lëvizjes teatrore në bazë të rajoneve”, thuhej në njoftim. I gjithë ky proces do të sjellë dhe festivalin “Hapat” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, ku do të ndahen edhe çmimet e më të mirëve.