“Jashtë bie borë”, komedi fantastike e autorit italian Vincenzo Salemme po shfaqet për publikun në skenë e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Me regji nga Hervin Çuli kjo shfaqje teatrore më parë shënoi suksesin si premierë në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Ndërsa për katër net me radhë për publikun në Tiranë, në mbrëmjet e datave 5, 6, 7 dhe 8 maj. Në “Jashtë bie borë”, historia e një familje të thjeshtë napolitane, shumë e ngjashme me familjet shqiptare, në kërkim të identitetit të humbur, e treguar përmes humorit dhe situatave komike që përfshijnë 3 vëllezërit shumë “të ndryshëm” të familjes Rigi. Nën drejtimin dhe interpretimin e Hervin Çulit, në role janë dhe aktorët Helidon Fino, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi. Kliton Kapaj drejtor i teatrit “Skampa” thotë se kjo ishte dhe premiera e parë këtë vit, një shfaqje që u mirëprit nga publiku. “Një premierë, që ka shënuar sukses në skenën teatrore dhe është mirëpritur nga publiku. Ky është bashkëpunimi i parë i yni me Hervin Çulin dhe ne kemi mbetur shumë të kënaqur, si dhe shfaqja i arriti ato pritshmëri që ne kishim. Ne jemi shumë të kënaqur me gjithçka si shfaqja vajti dhe ashtu siç u prit nga publiku i qytetit të Elbasanit”, thotë ai. Produksion i teatrit “Skampa” kjo shfaqje përmes ngjarjeve të saj përcjell dhe mesazhe për shoqërinë. Drejtori Kapaj thotë se është një shfaqje, që godet. “Mesazhi është ai që e mban shfaqjen dhe publikun. Dua të them që në qytetin e Elbasanit kishte plot njerëz që erdhën dhe e panë edhe për herë të dytë shfaqjen. Shfaqja jep mesazhin, shfaqja godet dhe i ka brenda të gjitha, si komedinë edhe dramën”, thotë ndër të tjera ai. Kjo shfaqje është këto net në Tiranë, por sipas drejtorit të teatrit të Elbasanit do të jetë dhe në skena të tjera. “Vepra teatrore do të ketë mundësinë të jetë dhe në skenën e Durrësit apo Vlorës, pse jo dhe në qytetin e Korçës. Ne jemi gjithmonë në diskutim për të gjetur datat e mundshme për të lëvizur, sepse të gjithë kanë dhe angazhime. Por sigurisht që shfaqja “Jashtë bie borë”do ta ketë rrugëtimin e vet edhe në festivale të teatrit, por dhe në qytete të tjera”, thotë Kapaj.
Protagonistë të historisë
Protagonistët e historisë janë tre vëllezër, të cilët takohen sërish pas vdekjes së nënës së tyre për të lexuar testamentin. Por kush do e trashëgojë shtëpinë? Personazhet në vepër janë Françesko i mbiquajtur Çiçone, rol që luhet nga Hervin Çuli, vëllai i sëmurë që rezulton të jetë shumë dinak. Helidon Fino një nga aktorët më të mirë dhe më të njohur të skenës shqiptare, vjen në këtë kryevepër të autorit Vincenzo Salemme në rolin e Enzos, një kantautor i dëshpëruar që u largua nga shtëpia në moshën 18-vjeçare dhe s’u kthye më kurrë. Hysen Mullajonuzi vjen në rolin e Stefanos, një punëtor që ka qenë gjithmonë pranë nënës dhe Çiçones, por që po shkon në depresion për shkak të të dashurës së tij, me të cilën duhet të martohet së shpejti. Mario Elezi një nga aktorët më të dashur të teatrit “Skampa” vjen në këtë kryevepër në rolin e avokatit të familjes Rigi. Në një reagim të tij më parë regjisori Hervin Çuli ka shprehur se është tekst, që e ka përkthyer 25 vite më parë. Një vepër që ai e ka vënë 25 vite më parë në skenë, por premiera tashmë është produksion i teatrit “Skampa”.