Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli kandidaturat e çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023. Në garë për çmimin që ndan QKLL janë dhjetë kandidatura. Çmimi “Lumo Skëndo” shkon për veprën më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Veprat e përzgjedhura nga juria që është ngritur më parë pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit janë: “Fan Noli- Apostulli” nga Ilir Ikonomi, “Frashëri i shquar, i panjohur” Thomas Frashëri; “Beteja për 20 përqindëshin” nga Ardit Bido; “Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit” nga Namir Lapardhaja; “Zbulimi i Erosit në antikitet” nga Artan Fuga; “Njeriu si një tjetër” nga Natasha Lako; “Takimet e mia me…” nga Blendi Fevziu; “Unë jam Kosovë” e Migjen Kelmendit, “Publicistikë e zgjedhur” Erion Kristo dhe “Dëshmi dhe kujtesë” Astrit Lulushi. Juria e edicionit të tretë të çmimit “Lumo Skëndo” që ndan Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përbëhet nga botuesja Arlinda Dudaj, Uran Butka, studiues i veprës së Mid’hat Frashërit, pedagogia Belina Budini, studiuesi dhe pedagogu Bledar Kurti, si dhe studiuesi Ardit Gjinali. Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë të botuar në publicistikë dhe eseistikë përgjatë vitit 2023 pritet që të ndahet në ditët e fundit të marsit. Një vit më parë, fitues i çmimit “Lumo Skëndo” ishte shkrimtari Ben Blushi me librin e tij “41 Sekrete”. Autori u vlerësua nga juria në QKLL për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2022.
Çmimi që u rikthye nga QKLL
Çmimi “Lumo Skëndo” u risoll nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe ka në fokus risjelljen në vëmendje të Mid’hat Frashërit. Por edhe për të patur një vlerësim për veprën më të mirë publicistike apo studimore. Në 72-vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej intelektualëve të historisë shqiptare, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit prezantoi në tetor 2021 rikthimin e çmimit “Lumo Skëndo”. Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli me rikthimin e çmimit më parë shprehu nderimin e saj ndaj figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në letrat shqipe, në studimet historike dhe albanologjike. Në edicionin e parë anëtarë të jurisë u shprehën se rikthimi i çmimit “Lumo Skëndo” nga QKLL-ja është një lajm i mirë për autorët që do të vlerësohen në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore. Në edicionin e parë, fituese e çmimit “Lumo Skëndo” ka qenë Lea Ypi me librin e saj “Të lirë”. Mid’hat Frashëri (njohur me emrin e pendës Lumo Skëndo; 25 mars 1880- 3 tetor 1949) ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Në botën e letrave ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006.