Shtëpiza e fotografisë vjen në kuadër të festave të fundvitit nën moton “Gzo n’Shkodër”. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” shprehet se programi i kësaj shtëpize do të vijojë në qytetin e Shkodrës, duke u bërë dhe pjesë e aktiveve për festat e fundvitit. “Shtëpiza e fotografisë është një hapësirë e vënë në dispozicion nga Bashkia e Shkodrës në kuadër të festave të fundvitit nën moton “Gzo n’Shkodër”. Bashkia Shkodër mbështet kështu programin e edukimit të muzeut Marubi, “Shkrue me dritë” si dhe iniciativën Dugaja e fotografisë. Programi i edukimit i shtëpizës “Shkrue me Dritë” do të zhvillohet paradite dhe do të përfshijë punëtori me tematika të ndryshme si krijimin e kartolinave të fundvitit me elementë të trashëgimisë kulturore, teknikën e monomtipisë, lojëra dhe shumë të tjera”, thuhet nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër, që ka ndarë dhe një video gjatë aktivitetit. Muzeu shprehet me tej se pasdite shtëpiza shndërrohet në “Dugajën e fotografisë”. “Ku artisti Ergys Vela ju mirëpret për realizimin e fotove të çastit dhe atyre me film 24×36 mm. Gjithkund festohet, askund si në Shkodër”, thuhet nga muzeu. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” herë pas here bëhet pjesë e aktiviteteve të ndryshme që bëhen në Shkodër. Muzeu mban në arkivin e tij rreth 400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në dy katet e muzeut mund të shihen edhe studiot e fotografit të famshëm, Pietro Marubit, dhe pasardhësve të tij. Ishte Pietro Marubi, azilanti politik italian, ai që hapi këtë godinë si studion e tij të re. Pas vdekjes së tij, studion e trashëgoi nxënësi i tij shqiptar e më pas fëmijët e nxënësit, të cilët mbajtën të gjallë dinastinë e familjes Marubi.