Objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore janë në një gjendje, që lë për të dëshiruar. Pak ditë më parë, Ura e Zogut monument kulture në vendin tonë u shpall në listën e 7 monumenteve dhe vendndodhjeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Europë për 2022, nga organizata “Europa Nostra”. Edhe pse për specialistët ky është një lajm me rëndësi për ndërhyrje në këtë monument kulture, ata shprehen se objekte që kanë degraduar janë përgjegjësi e institucioneve, pasi ka munguar mirëmbajtja prej vitesh. Reagimeve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vend i bashkohet dhe dr. Latif Lazimi, arkitekt që për 40 vjet është marrë me restaurimin e banesave në qendrat historike të Gjirokastrës, Beratit etj. Arkitekti Lazimi thotë se monumentet që janë më të rrezikuar duhen shpëtuar. “Është lajm i rëndësishëm përfshirja e Urës së Zogut në listën e 7 monumenteve më të rrezikuar në Europë në fushën e trashëgimisë kulturore. Mendoj që monumentet që vazhdojnë të jenë më të rrezikuar duhet të ndërhyhet për ti shpëtuar nga shkatërrimi”, thotë dr. Lazimi. Arkitekti Latif Lazimi shprehet me kritika ndaj institucioneve në vend për punën me monumentet e kulturës. Ai thotë se Ura e Zogut ka nevojë për projekt ndërhyrjeje të shpejtë. “Mirëmbajtja dhe restaurimi i monumenteve është detyrë e shtetit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) përgjegjës për këtë detyrë. Ura e Zogut me sa di është në gjendje të rëndë, sepse një mbështetje ka ceduar dhe struktura e saj ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje konsoliduese dhe të specializuar për problematikën që paraqet”, thotë dr. Lazimi.
Degradimi i objekteve
Piktori dhe restauratori Adrian Devolli për vite me radhë është marrë me restaurime të veprave të artit. Ai shpreh keqardhjen që sot ka objekte të ndryshme me status monument kulture që janë lënë në degradim, ku dhe Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq në Shqipëri janë renditur në listën e 7 më të rrezikuarat të trashëgimisë në Europë në 2018. Devolli thotë se degradimi i urës tregoi sa pak bëhet për mirëmbajtjen. “Janë probleme të ndryshme në trashëgiminë tonë kulturore, ka dhe objekte të tjera si kisha monument kulture që nga mungesa e mirëmbajtjes ndër vite kanë degraduar. Përgjegjësia e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, që tani ka ndryshuar dhe emrin. Ura e Zogut është shumë e bukur dhe me vlera historike. Por institucionet tona nuk kanë bërë projekte për një kishë të thjeshtë, jo më të bënin për këtë urë monument kulture. Degradimi që është në monumentet e kulturës është përgjegjësi e shtetit, strukturave përkatëse, ministrisë. Mungesa e mirëmbajtjes sjell degradim të objekteve”, thotë Devolli. Adrian Devolli nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, më pas nga viti 1987 deri më 1991 ka qenë pranë GKA. Aktiviteti i tij është me projekte restauruese në Manastirin e Ardenicës, si dhe në bashkëpunim me restauratorë të tjerë në Kishat e Bregut, Mborje të Korçës, etj. Për Urën e Zogut, që u shpall në listën e 7 monumenteve më të rrezikuar në Europë, më parë u shpreh dhe akademiku Emin Riza me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës.