Studimi “Burimi dhe formimi i dëshirores së shqipes” sipas studiuesve përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e gramatikës historike të gjuhës shqipe. Në Bibliotekën e Institutit të Arkeologjisë u bë paraqitja e veprës së akademik Ethem Likaj “Burimi dhe formimi i dëshirores së shqipes”. Akademia e Studimeve Albanologjike shprehet se në këtë aktivitet morën pjesë profesorë e studiues të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (Tiranë), të Universitetit të Durrësit, etj. Në fjalën e tij të hapjes, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. dr. A. Lama u ndal dhe vlerësoi kontributin e gjerë shkencor të akad. Ethem Likajt në gjuhësinë shqiptare. “Studiuesit e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Adelina Çerpja dhe Leonard Dauti, theksuan se ky studim përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e gramatikës historike të gjuhës shqipe, e konkretisht në trajtimin e një prej kategorive më të veçanta e dalluese të shqipes në raport me gjuhët e tjera të familjes indoevropiane, të origjinës dhe rrugës nëpër të cilën ka kaluar mënyra dëshirore, qoftë në aspekt semantik, qoftë në atë formal”, thuhet nga Akademia e Studimeve Albanologjike për këtë promovim të studimit, që u bë këto ditë. Në mbyllje, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik Valter Memisha i dorëzoi akademik Ethem Likaj emblemën “Akademia e Studimeve Albanologjike”, në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tij të gjatë dhe të rëndësishëm në gjuhësinë shqiptare. Gjuhëtar dhe akademik Ethem Likaj ka botuar ndër vite vepra të ndryshme në fushën e gjuhësisë. Në aktivitetin e tij janë dhe shumë artikuj të botuar në revista shkencore të vendit, si dhe në revista të huaja. Në aktivitetin e tij gjuhëtari ka mbajtur mbi 60 kumtesa në kongrese, konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë