Studiuesit shqiptarë do të mblidhen në një konferencë shkencore për shkrimtarin George Gordon Byron. Akademia e Shkencave organizon sivjet një konferencë shkencore kushtuar ardhjes së bajronizmit në botën shqiptare, si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës, të evokimit të “Motit të Madh”, të romantizmit gjuhësor dhe të romantizmit ideologjik e letrar, të mitit të origjinës dhe të hyjnizimit të etnisë. Kjo konferencë shkencore zhvillohet në 200-vjetorin e ndarjes nga jeta të George Gordon Byron-it (Xhorxh Gordon Bajronit). ASH shprehet se vendi i shqiptarëve në poemën e mirënjohur të Byron-it është spikatur qartazi edhe në filmin artistik të BBC “Byron”, në të cilin flitet shqip, këndohet shqip, madje dhe kostumet e kryengritësve revolucionarë janë tradicionale shqiptare. “Filmi është bazuar në periudhën e hershme të jetës së poetit. Skenari u shkrua nga Nick Dear, regjisor është Julian Farino. Përfshihen episodet e fundit të jetës të poetit, nderimet e mbrame po shqip, sipas vargjeve të fragmentit “Tamburxhi” të poemës së tij”, thuhet nga ASH. Me shkas nga vendi i Shqipërisë në kryeveprën e Byron-it “Child Harold”; i vendit të kapedanëve dhe trimave suliotë e të besnikëve të Ali pashës; njëherësh me shkas edhe prej magjepsjes romantike të pelegrinëve europianë (konsuj, udhëpërshkrues, misionarë, poetë e dijetarë të zhgënjyer nga zhvillimet në vendet e origjinës); që promovuan në Perëndim një vend të vogël e të panjohur si “Land of Eagles”, në konferencë do të trajtohen çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe); të fillimeve të idesë shqiptare (l’albanesità); të “utopisë kombëtare” të Rilindjes; të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (De Rada dhe Lamartin, Hugo, Mistral); të projekteve për një “Shqipëri zonjë” (Naimi, Samiu, Çajupi, Pashko Vasa); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije (V. Hugo, Alexander Dumas); të veprave të krijuara në klimën e “Child Harold” (“Alipashaida”). “Janë të ftuar studiues shqiptarë nga gjithë hapësira historike (Kosovë, Maqedoni e Veriut, arbëreshë e arvanitë, nga Mali i Zi) të propozojnë çështje për t’u paraqitur në konferencë nga fusha të ndryshme të albanologjisë: studime letrare, historiografi, antropologji”, thuhet nga ASH. Konferenca do të zhvillohet në muajt e ardhshëm.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë