“Akademia Teatrale” do të kontribuojë në mjeshtërinë artistike të talenteve të artit klasik. Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për masterclass në programin e parë profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike. Ky program nisi vitin e kaluar, por vijon dhe në 2024. TKOB shprehet se programi vjen nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos lirike Donata D’annunzio Lombardi, fituese e çmimit prestigjioz “Puccini 2019” dhe e njohur si një ndër interpretueset më të mëdha të muzikës, e cila ka debutuar rolet më të rëndësishme Puçiniane që nga viti 1991 deri më sot, të tilla si Musetta, Mimi, Magda, Liu, Madama Butterfly, Suor Angelica, Manon Lescaut, Tosca. TKOB bën me dije se masterclass-i për artistët do të jetë pa pagesë. “Përgjatë 5 ditëve, nga data 3- 7 mars, artistët e rinj do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikave të interpretimit, teknikave të këndimit dhe ndërtimit të një roli”, thuhet nga TKOB. Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 29 shkurt, sipas 2 kategorive: Regjistrim efektiv, ku kandidatët fitues do të jenë përfitues të masterclass-it; Pjesëmarrje për dëgjim, ku kandidatët do të kenë mundësinë ta ndjekin masterclass-in si dëgjues dhe jo si pjesëmarrës. “Mjafton të dërgoni CV-në, video me performancën tuaj, materialin e me të cilin doni të punoni dhe formulari e aplikimit, të cilin e gjeni website-in zyrtar të TKOB-së, në email-in [email protected]”, thuhet nga teatri. Masterclass-i do të zhvillohet në bazën e nevoja artistike që ka TKOB-ja për sezonin artistik 2024 dhe mbi disiplinim e muzikës së dhomës nga repertori gjerman. Kjo me qëllim njohjen dhe përvetësimin teknik nga të rinjtë e talentuar, si në drejtim të muzikës operistike, po ashtu edhe të muzikës së dhomës.
Programi muzikor
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), në bashkëpunim me qendrën “Gjenerata e re”, ka iniciuar programin e parë profesional muzikor në Shqipëri, Akademia Teatrale. Në faqen e teatrit thuhet se është një projekt i ndërtuar në kuadër të promovimit, zhvillimit dhe perfeksionimit të teknikës në disiplinën lirike, mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare, me në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj dhe fuqizimin e potencialit të tyre, në skenën e TKOBAP-së dhe përtej saj. “Nëpërmjet kësaj strukture ndërveprimi mes artistësh profesionistë siç është “Akademia Teatrale”, të rinjve do t’u krijohet mundësia të bëhen pjesë e masterclass-ve, nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të figurave artistike prestigjioze, si dhe të marrin mësime individuale nga mësues dhe artistë të njohur ndërkombëtarë. Çdo kandidati fitues do t’i jepet mundësia që të marrë njohuri të reja artistike, të cilat do t’i pasurojnë eksperiencën individuale artistike”, thuhet rreth “Akademisë Teatrale”. Ndërkaq, pjesë e stafit të akademisë do të jenë pedagogë, koreografë, dirigjentë të shquar e shumë figura profesionistë të artit të muzikës, operës e baletit.