“Grafitet” vepër nga Mehmet Kraja me regji nga Naser Shatrolli shfaqet për herë të parë në Tiranë në kuadër të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Vepra teatrore shfaqet këtë mbrëmje në Tiranë pas vlerësimit që ka marrë në festivalin e teatrit në Preshevë. Teatri i Qytetit Preshevë me “Grafitet” konkurron në festival, por regjisori Naser Shatrolli tregon se në këtë vepër ka një pasqyrim të tri etapave. “Shfaqja në bërthamë është e mbuluar me jorganin e motiveve shqiptare. Konkretisht në diskursin ideofabular shpërfaqen rrethanat e krijuara që nga ish Jugosllavia deri në ditët e sotme. Nëpër tri etapa përfshihet kronologjia e ngjarjeve në kuadrin e reflektorit tematik;1. Pushteti i Serbisë në Kosovë, 2. Ndërhyrja dhe ardhja e NATO – s në Kosovë, 3. Zbritja në qytet nga mali e UÇK – së si çlirimtarë. Pra, ka një pasqyrim real të këtyre tri etapave, që do të shtrihen në skenë dhe mizanskenë, nëpërmes dy vetjeve qenësore të kësaj drame Halimi, intelektuali që është sinonim i durimit dhe Banushi, që vegjeton në margjina të elitës, me një trashëgimi të rëndë të së shkuarës në ndërgjegje”, tregon Shatrolli. Sipas tij, shfaqja ka të gjithë komponentët nisur nga autor shqiptar nga Prishtina, Presheva dhe Mali i zi. Vepra teatrore do të jetë këtë mbrëmje në orën 21:00 në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Në role janë Valon Nuhiu, Gjelbërim Emini, Gani Veseli dhe Artan Ibishi. Por regjisori Naser Shatrolli thotë se shfaqja është produkt teatror bashkëkohor. “I sendërtuar mbi logun e shenjave, figurave, simboleve dhe imazheve, të cilat përcaktojnë stilin, zhanrin, frymën dhe idenë brenda një norme të kuruar estetike”, tregon ai. Ass. e regjisë Afeida Boriçi, skenografia Nexhat Boriçi, skicat e skenës Nita Llonçari, kostumografia Flutura Dedinja dhe muzika Skënder Halimi. Kjo shfaqje mori dy çmimet e para dhe kryesoret në festivalin e Preshevës. Regjia më e mirë-Naser Shattrolli, ku dhe çmimi kryesor po ashtu dhe më i rëndësishmi i është ndarë shfaqjes, ku “Shfaqja më e mirë” përfshinë të gjithë komponentet; tekstin, regjisurën, aktrimin, skenografinë, kostumografinë dhe muzikën.