Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi këtë muaj thirrjen për projekt-propozimet 2024, por për artistë, organizatorë aktivitetesh, etj, ky duhet të jetë një proces transparent sa i takon buxhetit. Andi Tepelena menaxher kulture shprehet me kritika për MEKI-n, që sipas tij me projektet po vijon si më parë nga Ministria e Kulturës. Tepelena thotë se duhet të ishte bërë transparent fondi për projektet. “Ministri Blendi Gonxhja njëlloj si paraardhëset, vazhdon me avazin mos të bëhet transparent fondi total vjetor për projektet”, shprehet Tepelena. Në thirrjen për projekt -propozimet nga MEKI, Tepelena në një koment të tij i kërkon ministrit Gonxhja që të shohë modelin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, që sipas tij bën transparencën. Tepelena thotë se informacioni nuk duhet të merret më në mënyrë informale. “Nuk bëni transparent sa është fondi minimal dhe maksimal për projekt që njerëzit mos të lodhen kot dhe të mundohen ti marrin këto informacione në mënyrë informale në korridoret e ministrisë në Kinostudio. Meqë e keni shpall prioritet teknologjinë digjitale, dhe shumë mirë bëni, bëni transparent të paktën në platformën digjitale shifrat që të bëheni i besueshëm. Mos u lodhni shumë, mjaft të imitoni modelin e transparencës të Ministrisë së Kulturës së Kosovës”, shkruan Tepelena në thirrjen për projekte nga MEKI.
Aplikimet deri më 1 mars
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mirëpret propozimet, idetë për projektet më kreative e inovative për kulturën, artin dhe trashëgiminë kulturore për vitin 2024. Sipas MEKI-t aplikimet janë deri më 1 mars, ku thirrja për projekte synon të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga persona juridikë të regjistruar si OJF, individë, si edhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin, mbrojtjen, ruajtjen, përcjelljen dhe digjitalizimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Por Andi Tepelena menaxher kulture thotë se në thirrjen e ministrisë individë dhe OJF nuk mund të trajtohen me të njëjtat kushte. “ Individët dhe OJF-t do trajtohen me të njëjtat kushte. Pra një OJF që paguan taksat dhe nxit punësim, do përfitojë të njëjtën vlerë monetare si një individ free lance”, thotë Tepelena. Andi Tepelena edhe më parë ka reaguar për procesin që ndiqte Ministria e Kulturës me projektet që financonte, ku sipas tij duhet të bëhej me dije jo vetëm buxheti, por dhe bordi që bënte përzgjedhjen. Sipas Tepelenës mungesa e transparencës sjell dhe kosto për drejtuesit e institucionit. “ Mungesa e transparencës ndaj mënyrës se si dhe ku shkojnë fondet për kulturën të taksapaguesve shqiptarë duhet të sjellë dhe kosto politike për drejtuesin e institucionit”, thotë Tepelena ndër të tjera. Periudha e realizimit të projekteve sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të jetë mars – 5 dhjetor 2024.