Tre kompozitorë të rinj u shpallën fitues të konkursit kombëtar “Çesk Zadeja”. Juria ndërkombëtare në këtë konkurs në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit vlerësoi veprat e autorëve Kris Sopiqoti, Jetmir Zaganjori dhe Fjolla Gashi dhe risitë që ato sjellin në muzikën shqiptare. Juria e këtij edicioni ishte e përbërë nga 3 emra të muzikës shqiptare, si: akademiku dhe etnomuzikologu Vaso Tole, kompozitorja Eriona Rushiti, kompozitori Gerti Druga, si dhe 2 kompozitorë italianë, Roberta Vacca dhe Mauro Cardi. Kryetari i jurisë, akademiku Vaso Tole ndau vlerësimet në ceremoninë që u organizua në TKOB. Në fjalën e tij Tole thekson disa elemente të rëndësishëm, si për vetë konkursin, ashtu edhe për pjesëmarrësit dhe fituesit e tij. “Konkursi për kompozitorët e rinj është përpjekja më serioze që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë ndërmarrë pas viteve 2000 për mbështetjen e krijuesve të rinj në këtë fushë shumë të rëndësishme dhe njëherazi delikate të krijimtarisë artistike. Ky konkurs është i hapur për gjithë krijuesit e rinj nga hapësira jonë mbarëkombëtare Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe diasporë, e njëherazi vijueshmëria e tij garantohet nga shteti, duke siguruar jo vetëm prestigjin publik të krijuesve, por edhe vënien e veprave fituese në skenë, kjo si një detyrim që e kanë dhe duhet ta kenë konkurset serioze si ky me emrin e Zadejës së madh”, shprehet Tole. Konkursi “Çesk Zadeja” këtë vit është në edicionin e dytë, por sipas akademikut Tole e konfirmoi nevojën për organizimin e tij, nisur nga fakti i rritjes së numrit të pjesëmarrësve (10 konkurrentë në raport me 5 të tillë në edicionin e parë), e po ashtu, hedhjen e bazave institucionale të organizimit të tij nga TKOB.
Vlerësimi i veprave
Tre autorë u shpallën fitues në këtë konkurs, por etnomuzikologu Vasil Tole shprehet se niveli i veprave fituese dëshmon për një standard të lartë të zotërimit të profesionit nga këta të rinj. Sipas tij, kjo i rendit këto vepra në rrjedhat bashkëkohore të muzikës në vendin tonë. “Thelbi i vlerësimit tonë fokusohej në evidentimin e atyre veprave që kanë origjinalitet të spikatur, vepra që zotërojnë një nivel të caktuar të teknikave muzikore të lidhura me idenë origjinale kompozicionale të veprës, e po ashtu që kanë dhe shfaqin përpjekje thelbësore për një gjuhë muzikore të përveçme. Nisur nga sa më sipër, mund të pohoj dhe një herë që niveli i veprave fituese dëshmon një standard relativisht të lartë të zotërimit të profesionit prej autorëve të rinj, çka i rendit me dinjitet veprat fituese në rrjedhat bashkëkohore të muzikës në Shqipëri e më gjerë”, shprehet Tole. E pranishme në ndarjen e çmimeve ishte dhe Abigeila Voshtina drejtoreshë e përgjithshme e TKOBAP, që tha se qëllimi nëpërmjet këtij konkursi është që jo vetëm të mbështesin dhe kultivojnë një brez të rinj kompozitorësh shqiptarë, por edhe të krijojnë një vazhdimësi brezash. Çmimet e edicionit të dytë të konkursit “Çesk Zadeja” janë: Çmimi i parë i dha veprës “Spectrum, Harmony, Polyphony”, për orkestër harqesh e Kris Sopiqotit, kompozitor, Shqipëri. Çmimi i dytë iu nda veprës “Një natë pa gjumë”, për solist dhe orkestër harqesh e Jetmir Zaganjorit, kompozitor, Shqipëri, mbi poezinë e Migjenit. Ky çmim u nda në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Çmimi i tretë shkoi për veprën “String quartet-Kuartet harqesh” e Fjolla Gashit, kompozitore shqiptare e Kosovës.