“Trunks and Trees” vjen në piktura nga Abaz Hado. Ekspozita në galerinë FAB prezanton punët më të fundit në pikturë, që janë realizuar nga artisti i mirënjohur. Me një aktivitet në fushën e artit pamor, ku është prezantuar herë pas here me ekspozita të ndryshme për publikun, këtë herë ekspozitën e tij vetjake “Trunks and Trees” (Trungjet dhe Pemët) piktori Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” e sjell në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. “Trunks and Trees” në piktura nga Abaz Hado është një ekspozitë e ndjesisë së natyrës e shoqëruar me një performancë me instalacione të inteligjencës artificiale. Piktori këtë herë nuk ka marrë natyrën si tërësi, por pemët, sepse ato i sheh si personazhe, ku atij i bëjnë përshtypje ndryshimi i strukturave të ngjyrave të tyre, sa e pasur është gjithësia e pemës me llojshmërinë e tyre apo dhe sa të dobishme janë për ne. Ekspozita “Trunks and Trees” ka lidhje me fillesën, që kur piktori Hado nisi të projektojë një seri veprash mbi raportin që ka secili prej nesh, me botën si tërësi universale. Piktori Hado thotë se natyra ka qenë dhe është objekt dhe referencë për çdo artist vizual, por sipas tij ky raport ekziston prej periudhave primitive dhe deri në kohët moderne, çka tregon për atë lidhje të pandashme të njeriut, me këtë hapësirë, që na është lënë për të jetuar. “Ne mbi të, kemi ushtruar ndikimin tonë për ta ndryshuar, transformuar dhe përshtatur në kushtet dhe nevojat tona sipas qytetërimeve. Është një raport, që na vendos përballë kërkesave dhe nevojave, për ta përshtatur si hapësirë, shpesh me gabime të rënda, duke dhunuar me arrogancën tonë, pjesë të rëndësishme saj. Të vendosur përballë kërkesës për qytetërim, zhvillim industrial, teknologjik, që njerëzimi i ka pasur të nevojshme për mbijetesën dhe vazhdimësinë e tij. Por shpesh në mënyrë fatale kemi tejkaluar mbi nevojat tona, duke keqpërdorur, këto asete mrekullisht të krijuara të gjithësisë. Nëse ndodhemi sot, në këtë vorbull ngjarjesh, të cilat në kënde të ndryshme të gjithësisë, është vënë në emergjencë vetë sistemi riprodhues dhe aftësia e njerëzimit, për të siguruar trashëgiminë e universit, si një vazhdimësi për të ardhmen e njerëzimit”, shprehet piktori.
Pemët të trajtuara si të ishin personazhe me ndjesi e shpirt
Kjo tokë është një mrekulli hyjnore shprehet piktori Hado, që na është dhënë bujarisht mijëra e mijëra vjet, ku njerëzimi lindi, u zhvillua dhe bëri historinë e tij. Kjo është një rregullsi vijon piktori, që nuk mund të ndërpritet përmes dhunës, brutalitetit, kjo kështu do vazhdojë. Këtë përqasje ai e vendosi detyrimisht si fillesë mbi ciklin e punimeve të “Trunks and Trees”, ku kërkoi në thelb të saj raportin e tij njerëzor, me atë pjesë të natyrës që ka shoqëruar zhvillimet, qytetërimet dhe jetët tona. Në veprat në pikturë të piktorit Abaz Hado nuk ka personazhe primare, por vetëm pyll, trungje, pemë të ndryshme, që nuk janë domosdoshmërisht realitet syvëzhgues, por diku si mbi realitete virtuale, herë si perceptime konceptuale vizuale. “Unë kam një pasion prej vitesh, që lëviz në këmbë, jam marrë me sport në rininë time të hershme, kam vrapuar në kodrat e liqenit bashkë me Pitin qenin tim besnik. Pikërisht këtej, kanë ardhur inspirimet e para, që më tej gjatë procesit, nuk mbeten më si realitet si tillë. Referencat janë pjesë e raportit që vendosa me këto objekte, duke i parë jo si modele metafizikë, por ju riktheva anemizmit primitiv, kur të parët e njerëzimit në fazën fillestare, besonin se druri dhe objekte të ngurta vëllimore kanë shpirt”, tregon piktori i njohur. Çdo trung i një peme të thyer, pemët me trupin dhe degëzimet e tyre, por dhe pyje masive piktori i ka trajtuar si të ishin personazhe me ndjesi e shpirt. “Kur nisnin të merrnin formë, më dukej sikur në brendi lëvrinin ndjesi, kode, simbole, që gjenin jehonën në ato gropat e çuditshme, që krijohen në trupin e tyre, si shenjë jetëgjatësie dhe durimi stoik, ndaj çdo lëndimi apo vuajtje. Kjo dukshëm shfaqet në lëkurën e ashpër, apo në ato degë që lidhen aq çuditshëm me njëra- tjetrën. Kështu u formatua dhe erdhi kjo ekspozitë, që fillimisht mund ta perceptoja përmes fletëve si një seri grafike, ku do isha më i sigurt, sepse është habitati im”, shpjegon piktori, që shton se kjo ekspozitë është konceptuar në dimensionin e vet ku më shumë ka të bëjë me muzikalitetin, harmoninë dhe ekuilibrat kromatik, që ndodhen dhe arrihen vetëm prej magjisë së ngjyrës. Gjithsesi në “Trunks and Trees” në galerinë FAB nuk mungojnë dhe nëntë vizatime grafike të autorit, si një përqasje me konceptin e ekspozitës.
Një performancë me instalacione të IA
“Trunks and Trees” në galerinë FAB është tërësi kërkimi mjetesh, mbi një sistem veprash të krijuara nga një formacion motivesh të përafërta, ku ndërthuren inspirimi, krijimi (vepra) që vendoset para publikut, pikërisht në fazën e fundit të kontaktit me syrin e publikut, ku sëbashku me aplikacione të Inteligjencës Artificiale, do na tregojë se ku synohet të shkohet përmes fuqisë së papërmbajtur të kësaj teknologjie, ku dhe arti mund të bëhet më ndikues. Piktori Abaz Hado tregon se realizimi i veprave në pikturë nuk ka vijuar shumë kohë, por më shumë kohë thotë ai atij i është dashur që të sistemojë konceptin se deri ku do ta çojë këtë raport. “Gjithë problemi jonë është një raport që kemi ne me natyrën dhe se si duhet ta japim këtë natyrë në kohën e sotme. Kur them sot, çfarë i ofrojmë ne publikut më mënyrën më moderne. Ekspozita përmban një nga elementët e sotëm më aktual, që besoj që përdoret për herë të parë në një performancë artistike në një ekspozitë, ku gërshetohet edhe vepra arti me instilacionin, duke përdorur inteligjencën artificiale, ku një kurator është marrë me këtë pjesë. Pikturat i kemi kthyer në inteligjencën artificiale për të krijuar një raport tjetër më modern me atë çka krijohet si vepra arti dhe me atë çka inteligjenca artificiale mund të rikrijojë”, tregon piktori Abaz Hado. Ekspozita që u hap mbrëmjen e së martës do të qëndrojë në galerinë FAB deri më 22 prill.
Aktiviteti në fushën e artit
Dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” është piktor, grafist, studiues dhe menaxher arti, i vlerësuar me aktivitetin e tij në fushën e artit pamor. Abaz Hado është diplomuar në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë. Më pas studioi në Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë dhe u diplomua në vitin 1983. Dy vjet më vonë, në vitin 1985, kreu studimet pasuniversitare si studiues dhe kritik arti. Në fushën e arteve pamore, Abaz Hado ushtron një veprimtari të gjerë. Punimet e tij ndodhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare dhe në bienale në disa vende të botës dhe në Shqipëri.