Opera “Rusallka” u vu në skenën shqiptare në 27 nëntor të vitit 1953, datë që hyri në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si dita e themelimit të këtij teatri. “Rusallka” e kompozitorit Alexander Sergeyevich Dargomyzhsky dekada më parë ishte produksion shqiptaro-sovjetik dhe atë kohë në këtë opera morën pjesë emra të rëndësishëm të artit shqiptar. Akademik Vasil Tole ish drejtor i këtij institucioni thotë se 70 vjet më parë, artistët shqiptarë të muzikës, solistët, kori, orkestra dhe trupa e baletit përmes vënies në skenë të operas “Rusallka” të Dargomirskit shënuan njëherazi edhe themelimin e institucionit të operas në Shqipëri. “Ishte premiera, e cila konfirmoi pjekurinë e stafeve tona artistike, të afta për të interpretuar ne skenën shqiptare gjininë magjike të operas botërore e më pas edhe ato kombëtare”, shprehet akademik Vasil Tole në një reagim të tij në rrjete sociale. Vënia në skenën shqiptare e operës “Rusallka” njihet dhe si dita e themelimit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por akademik Vasil Tole shprehet se në këto 70 vjet histori të këtij teatri meritojnë një mirënjohje të gjithë ata artistë që mbajtën gjallë këtë institucion. “Sot është dita të përkulemi me nderim për themeluesit e saj, ata që në atë mbrëmje nëntori të vitit 1953, në sallën e ish Teatrit Kombëtar bënë historinë e operas në Shqipëri, për të vijuar me këto 70 vjet histori të TKOB, ku meritojnë falenderime të gjithë ata që e mbajtën gjallë e në jetë këtë institucion krenarie të muzikës sonë, krijuesit, dirigjentët, regjisorët, skenografët, piktorët e kostumografët, interpretuesit, stafet teknike, drejtuesit, e të gjithë ata që angazhohen në këtë mekanizëm që realizon operat për publikun”, shprehet Tole.
Opera e hapur për të gjithë
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është institucioni kryesor i artit muzikor në Shqipëri. Vasil Tole ish drejtor i këtij institucioni thotë se sot Opera është e hapur për të gjithë. “Një mirënjohje e veçantë për TKOB -in sot, për artistët interpretues, solistët, korin, orkestrën, baletin, teknikën ndihmëse, për këshillin artistik e drejtuesen e TKOB që e kanë hapur operan për të gjithë!”, vijon akademik Tole. Në operan “Rusallka” në vitin 1953 të kompozitorit Alexander Sergeyevich Dargomyzhsky morën pjesë emra të rëndësishëm të artit në vend si Mustafa Krantja, Panajot Kanaçi, Jorgjia Truja, Marie Kraja, Hysen Pelinku, Zihni Berati, Gjyzepina Kosturi, Haxhi Tafaj, Zeqir Agolli, dhe 150 artistë të tjerë që në vitet që pasuan e ngritën operën shqiptare në nivele të larta artistike. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin.