Punët e tetë artistëve janë pjesë e ekspozitës “Vazhdë”, që u hap në ditën fundit të nëntorit në Tiranë. Punime në pikturë, foto, video, instalacion janë pjesë e ekspozitës së tetë artistëve, që reflektojnë mbi aktin e përcjelljes së njohurive ndër breza si një element themelor i njerëzimit. Artistët Anastas Kostandini, Ledia Kostandini, Mariana Kostandini, Theo Napoloni, Anxhela Pipero, Merita Selimi, Kairo Urovi dhe Agrina Vllasaliu kanë ekspozuar punët në “Bazament Art Space”. Tirana Art Lab, Bazament dhe Instituti Italian i Kulturës hapën këtë fund nëntori “Vazhdë” të kuruar nga pjesëmarrësit e edicionit të parë të programit “Kurim me përkujdesje”. Kuratorë të ekspozitës në “Bazament Art Space” janë Pediona Dautaj, Klaudia Fagu, Kleidia Gjata, Lulzim Hoti, Beskida Kraja, Resina Meçani, Grejsi Rudi, Enza Rripaj, Redina Qose, Vesa Shahini, Era Tula, Fabio Toska. Tetë artistë, reflektojnë mbi aktin e përcjelljes së njohurive ndër breza si një element themelor i njerëzimit, por ky transferim thuhet në tekstin rreth ekspozitës është më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni; ka të bëjë me përcjelljen e shpresave, ëndrrave, traumave dhe metodave të mbijetesës. “Ai mishëron vetë thelbin e të qenit njerëzor, duke formësuar veprimet dhe reflektimet tona si individë dhe si hallka të rëndësishme në zinxhirin e historisë sonë kolektive. Janë gjuha dhe arti që shërbejnë si mbartës primarë për këtë shkëmbim, duke na mundësuar komunikimin e kompleksiteteve dhe hollësive që përcaktojnë se kush jemi. Kjo ekspozitë reflekton mbi identitetin individual dhe vendin që secili zë brenda një narrative më të gjerë: ku çdo brez kontribuon në këtë histori të vazhdueshme, duke shtuar dhuntitë dhe perspektivat e veta unike. Kjo lidhje midis brezave nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës, por edhe me reflektimin dhe metabolizimin në të tashmen për të formësuar siç duhet të ardhmen”, shpjegohet mbi ekspozitën “Vazhdë”.
Ekspozita si rezultat i një projekti
Kjo ekspozitë vjen si rezultat i projektit final të dymbëdhjetë pjesëmarrësve nga Shqipëria dhe Kosova, i programit të parë kuratorial në Shqipëri “Kurim me përkujdesje”. Ky grup i larmishëm së bashku me mentorët Adela Demetja dhe Elian Stefa ka bashkëpunuar në të gjitha nivelet që të krijojë këtë ekspozitë. “Ky akt bashkëpunimi është reflektuar gjithashtu edhe brenda vetë ekspozitës përmes tematikës së ndërveprimit mes gjeneratash e cila shërben si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe përshtatshmërisë njerëzore. Nëpërmjet këtij këndvështrimi mund t’i vlerësojmë veprimet dhe motivimet tona si aspekte, që janë ndikuar nga trashëgimia që na rrethon. Në fund të fundit, nuk jemi ata që vetëm e gëzojnë këtë trashëgimi, por jemi gjithashtu edhe pjesëmarrës aktivë në zhvillimin e saj”, thuhet mbi ekspozitën “Vazhdë”. “Kurimi me përkujdesje” është një program arsimor alternativ i iniciuar dhe zhvilluar nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor. Edicioni i parë mbështetet nga Instituti Italian i Kulturës dhe kurohet në partneritet me Spazio Taverna Romë. Ekspozita do të qëndrojë deri në 14 dhjetor.