Vepra teatrore “Shtëpia e Zotit”, një tragjikomedi nga Ledian Gjeçi i zhvillon ngjarjet në Shqipëri në një shtëpi bari. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” në Tiranë u mbyll me premierën përshëndetëse “Shtëpia e Zotit”, bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Shqiptar, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Vepra erdhi në skenë nga regjisori Ilir Bokshi dhe në role aktorë të njohur të teatrit. “Shtëpia e Zotit” është një vepër që si autor Gjeçi e ka shkruar këtë vit. Në veprën “Shtëpia e Zotit” i gjithë grupi i shtëpisë së barit përfshihet në një festë të pazakontë dhe nën mungesën e vigjilencës së tyre, hyjnë fshehtas hajdutët të ndihmuar nga një anëtar i shtëpisë, që të vjedhin mallin e gatshëm për shitje. Një anëtar tjetër i shtëpisë, përballet aksidentalisht me hajdutët, dhe i shokuar nga e papritura konfrontohet me ta, të cilët e qëllojnë me armë dhe largohen duke mos e realizuar vjedhjen e planifikuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos te grupi i shtëpisë së barit, dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, nën praninë e një rreziku alarmant, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt ku të vendosen bimët e hashashit. Dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush. Një vend i përsosur për të jetuar, e për të vdekur. Vend i cili do jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që pasojnë…Në role janë Bujar Ahmeti, Krist Lleshi, Shkëlzen Veseli, Ledion Zoi, Ligoraq Riza, Rafael Hoxhaj, Elia Zaharia, Abedin Alimi, Donald Shehu, Luli Bitri, Genti Deçka, Gentiana Ramadani dhe Beslidhje Bytyçi. Koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë, por kjo shfaqje do të vijojë sërish të jetë pjesë e programit të TK-së.
Aktiviteti i Gjeçit si autor dhe regjisor
Ledian Gjeçi vijon aktivitetin artistik edhe si regjisor teatri. Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Universitetin e Arteve në Tiranë për “Regji teatri dhe spektakli”, ku diplomohet në vitin 2015. Vijon punën si dramaturg, dhe regjisor në disa teatro, dhe është autor i disa veprave dramaturgjike të vendosura në skenë nga regjisorë të ndryshëm dhe nga vetë ai, ku ndër veprat më të spikatura janë “Në dorë të Fatit” dhe “Pak pakt” tek të cilat është vlerësuar me çmime si: “Artisti i ri më i mirë” në festivalin e teatrit “Kokofest”, si “Dramaturgu i ri më i mirë” për vitin 2021 nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, gjithashtu edhe si fitues i çmimit të dytë në dramaturgji, në konkursin e dramës “Jeronim de Rada” Ferizaj. Më pas vijon krijimtarinë me veprën “Shtëpia e Zotit”, e cila vjen si bashkëpunim i tre teatrove kombëtar shqiptar, Tiranë, Prishtinë, Shkup. Dhe krahas teatrit, Ledian Gjeçi angazhohet si skenarist në programe televizive me përmbajtje dramaturgjike, në seriale, dhe në mësimdhënie teatri me të rinj.