Nga Julia Vrapi
Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë këtë vit do të shkojë për tre vepra fituese. Janë 14 aplikime me vepra këtë vit në Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku juria ka nisur dhe punën për të zgjedhur fitueset. Xhahid Bushati studiues dhe krijues i kësaj letërsie shprehet se nga publikimet që janë bërë nga QKLL për veprat dhe autorët që kanë aplikuar vihet re se tek ne ka akoma mangësi në këtë krijimtari. “Pashë në faqen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit aplikimet konkurruese të autorëve shqiptarë bashkëngjitur me veprat e tyre të reja në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Juria e ngritur enkas do të zgjedhë tri vepra fituese më të mira (në aplikim). Si studiues dhe krijues i kësaj letërsie, i ndjekjes së saj në vazhdimësi; nga një shikim formal, veprat që ishin më thonin se akoma kemi mangësi në prurjen e një letërsie të mirë, siç e kërkon koha, realiteti e fantazia e fëmijëve dhe stadi i tyre kulturor”, shprehet shkrimtari Bushati në një reagim të tij. Sipas shkrimtarit në Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë që është një ndihmesë për autorët dhe librat e tyre, kishte autorë jo vetëm të letërsisë për fëmijë, por dhe të asaj për të rritur. Por studiuesi Bushati ndalet dhe tek ata autorë që me krijimtarinë e tyre i janë përkushtuar kësaj letërsie, si dhe tek problematikat e krijimtarisë. “Pashë autorë që vinin nga letërsia për të rritur, (njëri ka ndërruar jetë dhe siç duket ka lënë një dorëshkrim të ri poetik si testament, po ashtu edhe për një poet që ka ndërruar jetë por që vjen nga letërsia për fëmijë kishte një vepër), pashë dhe autorë që nuk i njihja, autorë që i janë përkushtuar kësaj letërsie dhe, tek këto të fundit dua të ndalem. Duke lexuar krijimtarinë e mëparshme të tyre më rritën më tej besimin për një shpresë të kësaj letërsie që kërkon përkujdesje më të thelluar, por pashë edhe ndonjë autore që krijimtaria e saj nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë letërsi, por më shumë me “stërvitjen” psikoanalitike të fëmijëve, pashë edhe disa problematika të tjera që duhen diskutuar dhe koha do të jetë dëshmitare”, thotë studiuesi Bushati.
Një njohës i letërsisë
Xhahid Bushati shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj. Si një njohës i mirë i letërsisë për fëmijë Bushati jep mendimin e tij për disa prej autorëve që janë sot me këtë krijimtari. “Si njohës i kësaj letërsie me libra të botuar, shkrime, ese e opinione, shënime të herëpashershme të problematikave të ndryshme në rrugëtimin tim misionar dhe fisnik, më jepet e drejta të mendoj, duke njohur arritjet e autorëve në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, sipas meje paraqesin interes, vlera e pse jo tipologji të reja autorët: Fatmir Gjestila, Loer Kume e Rovena Rozhani. Kam besim në talentin e këtyre krijuesve. Pastaj, juria e nderuar ka detyrën e gjykimit, për të cilën do ta respektojmë”, shprehet shkrimtari. Nëpërmjet Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2024, QKLL-ja synon të mbështesë autorët shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe do të vijojë të jetë ndër projektet e saj bazë dhe të përvitshme.